E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra tremb Interin: Kërkoj sfida të reja

Interi nuk po gjen paqe. Pasi zgjidhën çështjen "Adriano", tashmë drejtuesit e klubit duhet të përballen me pohimin e frikshëm të Zlatan Ibrahimoviç. Sulmuesi suedez risolli në qendër të vëmendjes largimin e mundshëm nga skuadra që po ecën e sigurt drejt titullit në Serinë A. "Kam një kontratë me Interin dhe ndjehem mirë këtu. Megjithatë, pas pesë vjetësh do të më pëlqente të provoja një eksperiencë të re. Në Itali kam fituar gjithçka, por vjen një periudhë në jetë, ashtu si ndodhi kur luaja te Ajaksi, kur i thua vetes se dëshiron të provosh një aventurë tjetër". Ibra kishte ngritur dyshime për të ardhmen që prej dështimit të radhës në Ligën e Kampioneve, kur të besuarit e Hoze Murinjos u eliminuan nga Mançester Junajtid. Ato fjalë u interpretuan si "deklarata të thëna në gjaknxehtësi e sipër". Spekulimet morën edhe më shumë kuptim pas takimit Inter-Fiorentina: 27-vjeçari iu përgjigj "nuk e di" këmbënguljes së gazetarëve, që e pyesnin rreth të ardhmes me fanellën zikaltër. Pakënaqësia e Ibrës u shtua nga eliminimi në Kupën e Italisë. Ashtu si ka ndodhur shpesh në këtë sezon, sulmuesi ishte lojtari i vetëm që arriti të bënte diçka kundër Sampdorias, duke mos gjetur mbështetjen e skuadrës. Një tjetër arsye përse mund ta shtyjë lojtarin larg klubit të Moratit, ku destinacioni i mundshëm është La Liga spanjolle, është edhe "Topi i Artë". Për të fituar duelet me Leo Mesin dhe Kristiano Ronaldon, ai kërkon një skuadër që mund t‘i sigurojë sukseset në nivel ndërkombëtar.

Ibrahimoviç u bë pjesë e Interit në vitin 2006, kur u largua nga Juventusi pas skandalit "Calciopoli". Tekniku i tij i parë në Serinë A ishte Fabio Kapelo, i cili e ndihmoi të mësonte filozofinë e futbollit në Itali. "Kapelo më ka ndihmuar, duke më mësuar të kuptoja futbollin italian", tregoi boshnjaku me pasaportë suedeze. "Pak javë pasi kalova te Juventusi, ai më thirri në zyrë, më tha të ulesha dhe ndezi televizorin. Futi një kasetë me të gjithë golat e Marko van Bastenit dhe më tha ta studioja për 10-15 minuta, për të mësuar se si duhej të lëvizja në zonë. Menjëherë pas kësaj veshi xhaketën edhe iku në shtëpi, ndërsa unë qëndrova duke parë golat e Van Bastenit". Mes të tjerave, Ibra pohoi se në vitin 2001, përpara se të transferohej tek Ajaksi, ai ishte fare pranë kalimit tek Arsenali. "Kur luaja te Malmo, dikush më ftoi te ‘topçinjtë‘, për t‘u takuar me Venger. Shkova atje dhe ndoqa nga afër të gjithë lojtarët e mëdhenj të asaj skuadre. Fola pak me trajnerin, por në fund zgjodha Ajaksin. Mendoj se ishte vendimi më i mirë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›