Barrikadat, KFOR-i: Ja çfarë bëjnë serbët

Pamje nga sulmi i serbëve ndaj ushtarëve të KFOR-it
Zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowitzki, ka shfaqur disa pamje ku tregohen reagimet e serbëve në veri të Kosovës të premten, gjatë largimit të barrikadës së betonuar, në urën e fshatit Rudarë në Zveçan. Ai tha se atë, ditë janë lënduar 21 ushtarë të KFOR-it.
Në bazën ushtarake të kontingjentit francez në Vushtrri, Nowitzki ka theksuar se, sulmi është kryer nga një grup i vogël kriminal, i gatshëm për dhunë dhe madje për të vrarë ushtarët e KFOR-it.
Nowitzki deklaroi se, forcat e KFOR-it kanë përdorur municionin luftarak, pasi ishin sulmuar me armë zjarri nga serbët.
KFOR-i ka reaguar për t’u vetëmbrojtur, ka përdorur municion luftarak dhe do të jetë i gatshëm ti përdorë ato edhe në të ardhmen nëse sulmohet sërish, ka thënë zëdhënësi i forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.
Sipas KFOR-it, ushtarët janë sulmuar me armë të tre kalibrave të ndryshëm, ndërsa në automjetet dhe helmetat e ushtarëve janë evidentuar 38 gjurmë nga plumbat. Dy ushtarë të KFOR-it janë qëlluar me armë zjarri, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë.
Bëhet fjalë për sulm masiv mbi ushtarët gjermanë dhe amerikanë. Këto sulme kanë ndodhur në distancë kohore prej një ore. Sulmet janë shoqëruar me hedhje masive të gurëve në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, tha Nowitzki. /Telegrafi/
Përgatiti: E .L