Fushë-Krujë, banorët protestojnë se kishin një muaj pa drita, policia ndjek penalisht tetë prej tyre
Banorët e fshatit Nikël në Fushë-Krujë, prej një muaji janë pa energji elektrike. Të lodhur nga kjo situatë, ata kanë dalë sot në protestë, duke bllokuar aksin nacional që kalon në këtë fshat.Të paktën 700 banorë të Niklës kanë gjetur këtë formë proteste për problemin me të cilin përballen çdo ditë.
Ndërkohë policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për veprat penale të Pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit dhe Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme, për tëtë persona.
Ata janë 45-vjecvari Rr.Xh., banor i fshatit Larushk Krujë, 27-vjeçari E.Z., banues në Larushk, 24-vjeçari G.Z., banues në Larushk, 28-vjecari A.D., banues në Nikël, 27-vjeçari A.D., banues në Nikël, 20-vjeçari E.Xh., banues në Nikël, 45-vjeçari D.C., banues në Nikël dhe 27-vjeçari N.P., banues në Larushk.
Sipas policisë, procedimi penal i këtyre shtetasve filloi për arsye se një grup prej rreth 300 personash kanë marrë pjesë në një tubim të paligjshëm dhe kanë bllokuar për rreth 15 minuta kryqëzimin që lidh Niklën me aksin rrugor Tiranë-F.Krujë. Tubimi në fjalë i cili ka pasur si motiv ndërprerjen që prej disa ditësh të energjisë elektrike banorëve të Komunës Nikël, është konsideruar i paligjshëm për arsye se nga ana e organizatorëve e pjesëmarrësve në të nuk janë respektuar kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie leje për tubim. Policia thekson se
në vijim po punohet për të identifikuar persona të tjerë pjesëmarrës në këtë tubim. Policia u ka bërë thirrje banoreve për respektim të kërkesave ligjore dhe mospërshkallëzim të mëtejshëm të veprimeve të paligjshme. /M.Brunga/