Barroso, Berishës: Asgjë që bie ndesh me Kushtetutën sduhet pranuar
Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, e ka quajtur jonormale mosmarrjen pjesë të opozitës në Parlament. Gjatë një takimi me Kryeministrin Berisha, Barroso duke folur për situatën politike në Shqipëri u shpreh se asgjë që bie ndesh me Kushtetutën nuk duhet pranuar. Ai tha se Parlamenti është një institucion mjaft i rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe si tillë nuk duhet të jetë peng i lojërave politike, duke shtuar se nuk është aspak normale në demokraci mosmarrja pjesë e opozitës në Parlament. Ndërkohë KE, përmes kreut të saj, Barroso, garantoi Kryeministrin Sali Berisha se Shqipëria gëzon mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave. Berisha konfirmoi pas takimit në Bruksel me z. Barroso se ka marrë garancinë e plotë për qëndrimin pozitiv ndaj këtij procesi dhe vlerësimet janë qartësisht pozitive për të gjitha reformat që ka ndërmarrë Shqipëria në këtë proces. Dje dhe sot ka pasur një qëndrim konsistent, pozitiv të komisionit ndaj vendimit të heqjes së vizave për shqiptarët, një vlerësim të madh të arritjeve dhe natyrisht është në proces e sipër, sepse do të kalojë nga komisioni, në Këshillin e Ministrave, nga Këshilli i Ministrave në Parlament, pra ka procedurën e vet, por të gjitha këto procese janë një rrjedhje shumë normale, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri Sali Berisha e njohu kreun e KE-së, z. Barroso, me reformat e thella e të gjithanshme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare gjatë këtyre viteve, suksesin e ndjeshëm të këtyre reformave. Mes tyre u fol për përgjigjet e pyetësorit që Shqipëria dorëzoi dy ditë më parë tek komisioneri Fule, në një libër voluminoz, si dhe për konceptin e vendit tonë të bazuar në performancën dhe meritën, në procesin e integrimit. Gjithashtu, diskutuam edhe për situatën politike në vend, ku unë e sigurova Presidentin Barroso se ligjet dhe institucionet e vendit bëjnë plotësisht të mundur, si respektin e plotë të kushtetutës, ashtu edhe transparencën e plotë, të çdo lloj dokumenti të atij vendi. Në këtë kontekst, i shpreha zotit Barroso se dëshira e qeverisë është e plotë, që të operojë në përputhje me këto dy parime, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, procesi i integrimit kërkon që të gjitha forcat politike të dëshmojnë me vepra dhe jo me fjalë përkushtimin e tyre, ndaj këtij projekti madhor të të gjithë shqiptarëve.