E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria, vend i sigurt, luftuam krimin e korrupsionin

Marrja e masave antikrim ka bërë që Shqipëria të jetë një nga vendet më të sigurta në Evropë. Këtë fakt i pohoi dje Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, uebsajtit EurActivity (media që pasqyron zhvillimet në BE). Z. Berisha vuri në dukje se qeveria shqiptare ka marrë një sërë masash për të parandaluar krimin e organizuar dhe se vendi ka pasur një rritje ekonomike të qëndrueshme pavarësisht krizës ekonomike. Mafia shqiptare tashmë i përket së kaluarës. Janë vënë në pranga e më pas dënuar më shumë se 1 mijë kriminelë, - tha Berisha në intervistën e tij. Kryeministri shqiptar u shpreh se nuk beson se vala e madhe e emigrantëve shqiptarë drejt vendeve evropiane do të përbënte një pengesë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Dy ditë më parë, në fjalën e mbajtur në një eveniment të organizuar në Parlamentin Evropian nga fondacioni Robert Schuman, Berisha mbrojti çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke sjellë shumë shembuj të masave të ashpra të marra nga qeveria shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kuadër ai përmendi vendimin për heqjen e të drejtës së përdorimit të automjeteve shtetërore nga shumë zyrtarë të lartë apo procedurat lehtësuese për ngritjen e një biznesi për investitorët e huaj. Berisha foli edhe për situatën politike në vend, duke fajësuar opozitën për bojkotin e Parlamentit. Kryeministri Berisha dorëzoi dje në Bruksel dosjen me përgjigjet e pyetësorit për integrimin evropian të Shqipërisë. Mbi bazën e përgjigjeve, të dhëna për 2284 pyetje, Brukseli do të japë vendimin për marrjen e statutit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›