Kuvendi miraton raportin vjetor të KLSH-së
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje rezolutën për raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH raportoi në Komisionin e Ekonomisë për punën e saj njëvjeçare. Gjatë raportimit të kreut të KLSH-së, Robert Çeku, por dhe në raport, u theksua fort se sistemi i drejtësisë është pengesa kryesore në luftën kundër korrupsionit. Çeku ka deklaruar se çështjet e dërguara në prokurori ose shtyhen pafundësisht, ose nuk marrin fare përgjigje.
Prokurorë të rretheve i kanë pushuar çështjet e ngritura nga ana jonë dhe argumentimet kanë qenë të dobëta në nivelin profesional. Për këtë arsye, kemi qenë të detyruar që të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë. Janë një numër i madh çështjes të depozituara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Gjykatën e Lartë. Për fat të keq nuk kemi të paktën një përgjigje nga kjo gjykatë, - ka pohuar ai. Duke raportuar për punën vjetore, zoti Çeku tha se institucioni i tij ka zbuluar për një vit 7.3 miliardë lekë dëme të shkaktuara nga administrata. Po dje, Kuvendi ka miratuar dhe marrëveshjen për eurobond-in nëpërmjet së cilës Shqipëria për herë të parë bëhet pjesë e tregut financiar ndërkombëtar. Në seancën e djeshme janë miratuar dhe emrat e socialistëve në delegacionet ndërkombëtare. Kështu në delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së është Arta Dade, në atë të NATO-s, Pandeli Majko. Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Arben Ahmetaj, Olta Xhaçka dhe Damian Gjiknuri (të dy zëvendësues) ndërsa në PABSEC, Asambleja Parlamentare e Detit të Zi, Blendi Klosi e Namik Dokle. Në Aleancën Franceze, Ethem Ruka, ndërsa Ilir Gjoni në Asamblenë e PEP-së. Albert Çaçi do përfaqësojë PS-në në Konferencën e Bashkëpunimit me Detin Mesdhe ndërsa në Unionin Ndërparlamentar do të jenë Gramoz Ruçi, Eglantina Gjermeni, Taulant Balla, Vasilika Hysi e Qemal Minxhozi.