Gordon: SHBA mbështet integrimin e Shqipërisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin integrimin euroatlantik të shqiptarëve, por apelojnë për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Komisioni i Senatit amerikan për marrëdhëniet me jashtë zhvilloi një seancë për Ballkanin Perëndimor ku u diskutua përparimi i bërë nga vendet e këtij rajoni drejt integrimit euroatlantik dhe sfidat me të cilat ndeshen këto vende. Lajmi bëhet i ditur nga VOA. Ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Eurazisë, Filip Gordon, deklaroi se SHBA mbështesin plotësisht integrimin euroatlantik të Shqipërisë. "E mbështesim integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Dhe megjithëse qeveria shqiptare duhet të punojë më shumë për të luftuar korrupsionin, ndërsa shpresojmë ti jepet fund ngërçit politik në parlamentin e vendit, Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në rajon, - deklaroi z. Gordon. Shqipëria, - shtoi ai, - ka punuar shumë për pajtimin e komuniteteve serbe dhe shqiptare, ka ripërtëritur marrëdhëniet e nivelit të lartë me Serbinë dhe mbështet integrimin euroatlantik të Serbisë dhe Kosovës. Shqipëria sapo ka dorëzuar edhe pyetësorin e anëtarësimit në Komisionin Evropian.