Barroso: Marrëveshja të zbatohet shpejt

(E plotësuar) Marrëveshja e arritur është një akt historik, e cila tani duhet të zbatohet sa më parë, thotë presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, në kumtesën e tij ku përshëndet marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jam i bindur se marrëveshja e arritur mes palëve do të hap rrugën që Këshilli të merr vendimet për hapat e Serbisë dhe Kosovës në integrimet evropiane. Populli i Serbisë dhe Kosovës dëshiron që të ecën përpara, dhe të shohin perspektivën e tyre evropian në realitet. Kjo gjë është thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës Jug-Lindore dhe të Bashkimit Evropian si tërësi”, ka thënë Barroso.
“Unë përgëzoj arritjen e Serbisë dhe Kosovës në dialogun e tyre. Kjo është një marrëveshje historike, e cila tani duhet të zbatohet sa më shpejt që është e mundur. Unë uroj të dy liderët për përkushtimin, kurajon dhe vizionin e tyre”, tha ai.
------
Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule përmes një komunikate për media e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes duke e quajtur një moment historik për Kosovën dhe Serbinë, për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian.
“Unë dua t’i përgëzoj të dy kryeministrat dhe ekpiet e tyre. Kjo marrëveshje nuk do të kishte qenë e mundur pa guximin dhe përkushtimin e palëve gjatë gjithë negociatave të vështira. Unë gjithashtu dua t’i shpreh falenderimet e përzemërta Baroneshës Ashton, për investimin personal të palodhur dhë këmbnguljen e saj në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Fules.
Fule ka shtuar se kjo qasje konsensuale do të ndihmojë të dy vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
“Është e rëndësishme tani që udhëheqja politike në Kosovë dhe Serbi të mbështesin marrëveshjen dhe në mënyrë aktive të ndihmojë në zbatimin e saj. Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur. Kjo është në interes të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, ata që jetojnë në Serbi dhe në rajon. Udhëheqësit e të dy vendeve mund të llogarisin në përkrahjen tonë të vazhdueshme, solidaritetin, inkurajimin dhe besim në të ardhmen e tyre evropiane”, thuhet më tej në komunikatë./Indeksonline/