E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Peçi: Nuk ekziston një komision “ad hoc” për reformën zgjedhore, PD-PS të nisin punën bipartizane

Zoti Peçi, duket se debatet për ndryshimet Kushtetuese po mbajnë peng reformën zgjedhore, kjo pasi një pjesë e partive të vogla kontestojnë thuajse ç`do nismë apo marrëveshje të dy partive të mëdha. Mendoni se kjo situatë do të zhbllokohet shpejt?
Tani jemi në një situatë të re, ku nuk kemi nisma. Kemi një ligj i cili ka bërë ndryshimet në Kushtetutë, ndërmjet të tjerave edhe për çështjen e sistemit zgjedhor në Shqipëri. Me sa kemi parë në media në lidhje me kundërshtitë që kanë disa nga partitë e vogla, nuk i mëshohët shumë problemit të sistemit zgjedhor se sa ndryshimeve të tjera në Kushtetutë, siç është mënyra e zgjedhjes së Presidentit apo mocioni i besimit apo mosbesimit ndaj Kryeministrit. Pra çështjet e kontestimeve nuk kanë të bëjnë shumë me reformën zgjedhore, të paktën në dukje, në thelb, pastaj se sa do të arrijnë partitë e vogla është problem tjetër. Gjithsesi kjo çështje në vetvete, nuk duhet të bllokojë dhe nuk duhet të bëhet shkak për për të filluar një orë e më parë rishikimin e kodit zgjedhor, sepse koha kalon dhe do të gjendemi përpara një situate, ku do të afrojë data e zgjedhjeve, do të afrojë fushata dhe nuk do të kemi akoma ligjin, mbi të cilin do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme. Lidhur me problemin për vonesat e arritura deri më tani. nuk mund të zgjidhen më nga dëshirat apo nga format e zgjedhura të protestave të diskutimeve në media apo nëpër takime të ndryshme. Ajo që do të zgjidhë përfundimisht, nëse do të ndodhemi përpara një lëvizje e cila do të ndryshojë apo do të rrëzojë ligjin që ka bërë ndryshimet në Kushtetutë, nuk do jetë më çështje debati tavolinash as çështje intervistash mediatike. Por ajo cështje në qoftë se do të shkojë në rrugën ligjore, pra nëpërmjet 50 mijë firmave që pretendohet të mblidhen nga grupe të caktuara, do të jetë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, veçanërisht Gjykata Kushtetuese e cila do të japë verdiktin përfundimtar, nëse jemi përpara kushteve për të bërë një referendum apo nuk jemi përpara një rasti të tillë. Ky është një proces i cili zgjat. Ndaj ngul këmbë që një orë e më parë, dy forcat e mëdha politike dhe Parlamenti shqiptar, duhet të fillojë me veprime konkrete për rishikimin e Kodit Zgjedhor, duke u mbështetur në ndryshimet që janë bërë në Kushtetutë. Sot e kemi fakt të kryer që kemi një sistem zgjedhor të ndryshëm nga sistemi tjetër. Kjo nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si punë bosh, si punë kot, sepse sikur të marrim rastin më ekstrem që do të ndryshojë përsëri ligji dhe do të kthehemi në sistemin e parë zgjedhor, kjo nuk do të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve dhe me Kushtetutën e “pandryshuar” në qoftë se do të ndodhemi. Personalisht, mendoj që sido që të jenë zhvillimet, nuk besoj se do të preket sistemi zgjedhor, i cili është vendosur me ndryshimet e fundit të Kushtetutës.

Ka pasur shumë kontestime lidhur me dy bashkëkryetarët; zotërinjtë Rusmali dhe Islami. Cili është komenti juaj mbi punën që kanë bërë përfaqësuesit e dy partive të mëdha?
Mendoj se tashmë nuk mund të flasim më për një komision të posaçëm, as për bashkëkryetarë, sepse ky komision është ngritur mbi bazën e një vendimi të Parlamentit dhe në këtë vendim janë përcaktuar dhe afatet e kohore të veprimtarisë së këtij komisioni, afate të cilat kanë mbaruar me kohë. Kësisoj, ky komision nuk është më ekzistent. Duke mos pasur më komision të tillë, nuk kemi pse të bëjmë vlerësimin e punës së këtij komisioni. Ky komision sot nuk ka tagra që të fillojë institucionalisht që të rishikojë Kodin Zgjedhor. Mënyra se si do të zgjidhet, veçanërisht nga dy forcat e mëdha politike, nëse do të jetë përsëri një komision i posaçëm që do të merret me ndryshimet që do t`i bëhen kodit zgjedhor, apo do të vijnë përsëri në Komisionin e Ligjeve apo me mekanizma të tjera, është një problem i cili nuk pret një zgjidhje. Personalisht, kam mendimin është e nevojshme të ngrihet një komision i posaçëm, i cili duhet të fillojë nga puna për rishikimin e Kodit Zgjedhor.

Pas nismës fillestare, Presidenti Bamir Topi, ka qenë disi i distancuar në lidhje
me këtë reformë. Mendoni se Kreu i Shtetit ka ende mundësi për t’u përfshirë në këtë proces?
Mendoj se Presidenti Topi nuk ka qenë dhe nuk është apatik. Në funksion të detyrave të tij Kushtetuese dhe ato që i jep ligji, ka bërë deklaratat e nevojshme, ka shfaqur mendimin e tij dhe nuk besoj se e masim në ka apo nuk ka kohë për të reaguar. Në fund të fundit, reagimi ligjor i Presidentit të Republikës lidhur me Kushtetutën, me përjashtim të prononcimeve apo deklaratave që ai tashmë i ka bërë nuk ka mjet tjetër ligjor. Sepse në Kushtetutë është e shprehur që Presidenti i Republikës, ndryshe nga miratimi i ligjeve të tjera që dekretohen prej tij nuk ka të drejtë që të kthejë për rishqyrtim ndryshimet e Kushtetutës përsëri në Parlament, pasi Kushtetuta vetë ia ka hequr këtë të drejtë që të veprojë ligjërisht për mospranimin apo kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve që i bëhen Kushtetutës.

Projektiligji për legalizimet është shoqëruar me debate të forta mes pozitës dhe opozitës. Ju jeni për kompensim financiar pastaj legalizim, apo e kundërta?
Nuk mund të jepet një mendim në mënyrë taksative, pasi duhet shqyrtuar rast pas rasti. Atje ku ekziston mundësia e kompesimit në sasi të tilla dhe në vende të tilla të cilat kënaqin interesat e palëve të interesuara, do të ishte njëra zgjidhje. Kjo do të ulte dhe koston financiare, por kjo nuk shmang dhe pagimin e detyrimeve në favor të pronarëve kur efektivisht mungojnë kushtet për të bërë kompesime.

A jeni dakord për miratimin e projektligjit për heqjen e imunitetiti për deputetët dhe zyrtarët e lartë?
Problemi i imunitetit është i lidhur ngushtë me Kushtetutën e vendit për aq kohë
sa në Kushtetutë, është e thënë në mënyrë fare të qartë që persona të caktuar, gëzojnë imunitet ç`do tentativë tjetër, pa ndryshimin e Kushtetutës nuk është ligjore dhe është e mangët. Personalisht, jam për kufizimin e imunitetit të disa funksioneve politike, duke përfshirë edhe deputetët. Por mënyra se si dhe duhet bërë ajo unë i qëndroj idesë se duhet ndërhyrë në Kushtetutë. Mekanizma të tjera, të cilat në pamje të parë duket sikur krijojnë ndonjë kufizim, i shoh pa rezultat, pa efektivitet.

Ditët e fundit, është rikthyer në diskutim çështja e hapjes së dosjeve. Ju ç`gjykim keni për këtë çështje?
Është një proces, i cili dikur ka filluar, ka vazhduar për vite të tëra me një afat kohor të përcaktuar në atë ligj. Është e drejtë që të ketë një rihapje të dosjeve, për të pastruar politikën. Por momenti në të cilin ngrihet kjo çështje, mua më duket më tepër si çështje të hedhura për diskutim, për të zhvendosur vëmendjen nga probleme shumë më të rëndësishme që ka vendi sot. Sot efektivisht ndodhemi përpara situatash të tilla, të cilat kërkojnë shpejtësi, profesionalizëm për të arritur në përmbushjen e atyre detyrimeve që kemi. Kjo jo vetëm për shkak të ftesës për antarësim në NATO, jo vetëm të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimit por edhe problemet e shumta ekonomike e sociale që po kalon vendi sot. Hedhja për debat i një problemi, i cili në vetvete nuk sjell ndonjë gjë për më tepër që jemi gati-gati në përfundimin e mandatit të këtij Parlamenti. Dhe për pasojë të qeverisjes që më pas nuk e dimë ende se kush do të jetë, më duket thjesht për të tërhequr vëmendjen nga probleme të tjera që janë mjaft më të rëndësishme. Në një situatë më të qetë politikë do të isha plotësisht dakord që të hapeshin dosjet.

 Intervistoi Silvi Tresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›