Barroso: Zgjedhja e TAP, sukses për Evropën

Komisioni Evropian e ka cilësuar zgjedhjen e projektit “TAP” nga konsorciumi i Shah Deniz si një sukses për Evropën. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, në një deklaratë të tij bëri me dije se tashmë përzgjedhja e TAP-it si projekt fitues ishte zyrtare.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe komisionari për Energjinë në këtë komision. “Ky është një sukses domethënës për Evropën dhe një arritje e madhe në kuadër të sigurimit të energjisë për BE-në. Kam besim se vendimi i sotëm, që bazohet në një sërë marrëveshjesh të nënshkruara me presidentin e Azerbajxhanit, Alijev, do t’i japë një impuls të ri dhe realizim të shpejtë gjithë korridorit të Jugut të gazit, si një lidhje direkte dhe ekskluzive mes detit Kaspik dhe Bashkimit Evopian”, tha Guenther Oettinger, transmeton Panorama .
Më herët Komisioni Evropian kishte dhënë lejen për gazsjellësin “TAP” përmes një marrëveshje. TAP zgjidh njëherë e mirë vartësinë e Evropës nga gazi rus, i cili në kohë të mira dhe jo të mira “marrëdhëniesh” mes shteteve, është bërë problem./Indeksonline/