E Diel, 1 Nëntor 2026

Barroso: Zgjidhniproblemet me KosovënTadic: Po, por se njohim

BEOGRAD- Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso i deklaron Beogradit se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por porosit se problemet me Kosovën duhen zgjidhur. “Unë besoj se është e mundur të gjendet një zgjidhje pragmatike”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp me presidentin serb, Boris Tadiç, në përfundim të vizitës së tij në Beograd. Barroso theksoi se është me rëndësi të gjenden zgjidhje që do ta lehtësojnë jetën e njerëzve në Kosovë dhe se kjo është e rëndësishme jo vetëm për Serbinë, Kosovën, por edhe për tërë rajonin dhe Bashkimin Evropian. “Problemet në Kosovë ekzistojnë dhe ne duhet t’i zgjidhim. Serbia është duke lënë mbrapa ngjarjet e rënda nga e kaluara dhe ne e përshëndesim këtë guxim. Ndërkaq për Kosovën duhet të gjejmë një zgjidhje pragmatike që të zgjidhim problemet për jetën e përditshme të njerëzve. Unë besoj se kjo është e mundur”, ka thënë Barroso.

“Bashkëpunimi rajonal është një pjesë integrale e procesit të stabilizim-asociimit dhe i integrimit në BE dhe kjo paraqet një nga kriteret kyç politike me rastin e përpunimit të mendimit të Komisionit Evropian”, ka thënë ai. Nga ana e presidentit serb, Boris Tadiç, ka thënë se pika qendrore dhe më e rëndësishme e Serbisë është të jetë anëtare e BE-së. “Ky është plan që nuk ka alternativë, që është me rëndësi për ne, për rajonin dhe për Evropën Juglindorë”, ka thënë ai duke sqaruar se Serbia nuk dëshiron të jetë barrë dhe bllokuese e rajonit.

Presidenti serb ka theksuar se shpreson që edhe Prishtina të jetë pragmatike në bisedime dhe të tregojë vullnet të mirë për zgjidhjen e problemeve. “Ne kemi iniciuar rezolutën në bashkëpunim me 27 vendet anëtare të BE-së me qëllim që të zgjidhim një konflikt dhe jo ta bllokojmë situatën politike dhe ta ngrijmë një konflikt, sepse ky nuk është interes i Serbisë, as i qytetarëve të saj, as në Serbinë qendrore as në krahinën tonë jugore”, deklaroi ai. Tadiq për herë të parë ka përmendur në shenjë problemi dhe keqardhjeje problemin e vazhdueshëm dhe betejat që janë bërë lidhur me pjesëmarrjen ose jo të delegacioneve kosovare në takimet rajonale dhe ndërkombëtare. “Ne duam të zgjidhim problemet që padyshim ekzistojnë, duke filluar nga udhëtimi i qytetarëve tanë pavarësisht përkatësisë etnike, tregtia, zhvillimi i industrisë, infrastruktura, furnizimi me rrymë. Ekziston edhe problem i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Prishtinës në takimet rajonale dhe ndërkombëtare, andaj ne kërkojmë zgjidhje që është në pajtueshmëri me interesat e dyanshme”, ka thënë ai duke shtuar se nuk do të kalojë vijat e kuqe. “Ne jemi të qartë që do të bëjmë gjithçka, por pa njohur në asnjë mënyrë Kosovën si shtet”. Barroso gjatë ditës është takuar edhe me zyrtarët e tjerë serbë dhe ka diskutuar për progresin e arritur deri tani.
(s.g/kohaditore/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›