E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson kundër kritikave: Nuk tolerojmë me Blekpulin

ANGLI- Trajneri i Mançester Junajtid Aleks Ferguson ka premtuar se do të hedhë në fushë një skuadër të fortë, në ndeshjen e së dielës përballë Blekpulit në “Old Traford”. Pas akuzave të ardhura nga klubet e tjera të Premier Ligës që janë duke luftuar për të mos rënë nga kategoria, se “Djajtë e Kuq” do të hedhin në fushë rezervat, tekniku skocez e ka mohuar një gjë të tillë. “Mendoj se edhe vetë lojtarët e kanë të nevojshme të luajnë një ndeshje tjetër përpara finales së Champions League, - deklaroi ai. – Derrën Fleçer, Pol Skols, Anderson do të luajnë.

Në fushë do të jenë edhe Berbatov, Patris Evra apo Van der Sar”, shtoi Ferguson. Ai u shpreh se akuzat e klubeve të tjera do të ishin të justifikuara vetëm nëse rezultati i Mançesterit do të ndikojë mbi to. “Mund të kritikohemi vetëm nëse humbasim një ndeshje që ndikon te të tjerët, - tha trajneri i Juinajtid. – Nëse ndodh kjo, atëherë mund të akuzosh një skuadër si e jona. Nëse e mbani mend, pak vjet më parë luajtëm kundër Hullit dhe në fushë kishte shumë rezerva, por ne fituam 1-0 dhe nuk kishte arsye përse të kritikoheshim”.

Ai sqaroi gjithashtu se i ka kërkuar mesfushorit 36-vjeçar Pol Skols që të shtyjë edhe për një vit planet e tërheqjes nga futbolli, pasi ky lojtar e ndihmoi ekipin të fitonte titullin e 19-të kampion. “Nuk mendoj se Skols do të tërhiqet. Kam biseduar me të dhe e kam inkurajuar të qëndrojë edhe për një vit tjetër, por do të flasim sërish në fund të sezonit”, shtoi Ferguson. Shefi ekzekutiv i klubit Devid Xhill u shpreh javën e shkuar se Mançesteri ishte i pasigurt nëse Skols do të ndiqte shembullin e Gigs, duke rinovuar dhe për një vit.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›