E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti mendon lamtumirën: Nuk do qaj nëse largohem

Shkoi në Londër për të fituar Champions League, por në të vërtetë ky kompeticion rezultoi një dështim në dy vitet e fundit. Pas një sezoni ku fitoi titullin kampion dhe FA Cup, Karlo Ançeloti tashmë duket shumë pranë shkarkimit. Çelsi i drejtuar prej tij ka dhuruar pa më të voglin dyshim një futboll më të bukur, por ëndrra e Roman Abramoviç për të triumfuar në Evropë mbeti e paplotësuar. Ndoshta edhe po të kishte fituar kampionatin e këtij viti, që u humb në përballjen direkte me Mançester Junajitd, imazhi i trajnerit italian nuk do të ishte rehabilituar në sytë e miliardierit rus, i vendosur për të ndryshuar “timonier” që pas eliminimit nga Champions. Pas një jave do të njihet e ardhmja e trajnerit të bluve të Londrës, që mund ta mbyllë aventurën e tij londineze me një vit në avancë. “Nuk do të jetë problem, - u shpreh Ançeloti sot përpara mediave. – Nuk do të më shihni të qaj me lot apo të bëj ndonjë gjë tjetër, thjesht do të pranoj vendimin e klubit. E kam thënë edhe më parë që do të jetë klubi që do të gjykojë punën time, por duke qenë objektiv”, shtoi tekniku italian.
‘Black-out”-i
Fatal për Çelsin e Ançelotit ishte “black-out”-i mes nëntorit e dhjetorit, që kompromentoi jo vetëm luftën për titullin kampion, por uli ndjeshëm edhe besueshmërinë e skuadrës. Çelsi ishte një superfuqi në javët e para, duke i fituar ndeshjet me goleada, por më pas skuadra londineze e kishte të vështirë të shënonte qoftë edhe një gol. “U nisëm shumë mirë dhe e mbyllëm Premier Ligën po aq mirë, por momenti negativ zgjati pak si tepër, - thotë më tej Karlo Ançeloti. – Nuk ishte një sezon pozitiv, por në futboll ndodh që të duhet të përballesh me momente negative. Javën e ardhshme do të takohem me drejtuesit e klubit. Nuk e di ende se çfarë kanë vendosur, por unë do t’u shpjegoj arsyet e mia dhe do të pranoj vendimin që do të merret. Kam edhe një vit kontratë dhe shpresoj që të qëndroj, por në rast të kundërt nuk do të jetë një problem”, deklaroi tekniku italian i Çelsit.
Shkarkim
Në Angli, mediat duken të sigurta se Karlo Ançeloti nuk do të ulet më në pankinën e bluve, ndërkohë që destinacioni i tij duket se do të jetë Roma. Madje, në shtyp vazhdojnë të dalin përditë emra të rinj, teksa i favorizuari mbetet Andres Vilas Boas, fituesi i freskët i Europa League me Porton. Ndërkohë, edhe vetë trajneri italian ka nisur të bëjë bilancet në dy vitet e tij në Londër. “Nëse do të më kishin thënë kur firmosa me Çelsin, se në dy vjet do të fitoja një titull kampion dhe një Kupë të Anglisë, do të isha shumë i lumtur, - u shpreh ai. – Momenti më i bukur ishte fitorja e vitit të shkuar në shtëpinë e Mançester Junajtid, ndërsa më i shëmtuari ishte eliminimi nga Liga e Kampioneve këtë sezon”, përfundoi Ançeloti.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›