E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barrot: Liberalizimi i vizave, Shqipëria do të përfitojë në vitin 2010

10/07/2009  Javën që vjen Strasburgu do të bëjë propozimet për vendet që përfitojnë

Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi do të jenë vendet e para që do të përfitojnë

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Zhak Barrot, ka deklaruar dje gjatë një konference për mediet se javën që vjen në Strasburg do të propozohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Shqipëria do të përfitojë nga kjo në fund të vitit 2010. “Javën e ardhshme në Strasburg do të propozohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Ekzekutivi i Bashkimit Evropian do të propozojë javën e ardhshme që qytetarëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë tu lejohet udhëtimi pa viza në vendet e BE-së prej fillimit të vitit të ardhshëm”, - tha zëvendëspresidenti Barrot. Propozimi duhet të miratohet nga 27 ministrat evropianë të drejtësisë, ndonëse votimi unanim nuk është i nevojshëm. Barrot tha se në regjimin e ri të vizave do të përfshihen fillimisht Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të bëhen pjesë e tij më vonë, diku në vitin 2010, kur ti kenë përmbushur kriteret e duhura. Shqipëria dhe Bosnja janë të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor që në gjykimin e ndërkombëtarëve nuk arritën të përmbushnin të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me bllokun e 27-s, ndërsa Maqedonia rezultoi të ishte e para në përmbushjen e reformave dhe përmbushjen e standardeve. Në to përfshihet monitorimi i duhur i kufirit, prezantimi i pasaportave biometrike dhe ndërmarrja e hapave të duhur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi, që nuk i kanë përmbushur të gjithë kushtet, pritet që ti realizojnë ato deri në fund të vitit. Lidhur me shanset e Shqipërisë për të përfituar liberalizimin e vizave zyrtarët e Tiranës janë deklaruar optimistë. Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, mbledhje e zhvilluar në mes të muajit qershor, ministri i Punëve të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha, u shpreh optimist për ecurinë e kësaj mbledhjeje. Deri tani kundër liberalizimit të vizave me Serbinë është deklaruar Holanda, e cila prej kohësh i ka kërkuar Beogradit arrestimin e kriminelëve të luftës. Por për këtë çështje komisioneri Zhak Barrot nuk e përkrah Holandën. Ai deklaroi se Serbia përveç se do të ketë avokatë të fortë në tryezë, shtoi se Bashkimi Evropian nuk do të ndëshkojë të rinjtë e Serbisë për shkak të sjelljes së keqe të Millosheviçit.

Lulëzim Basha

“Këshilli përshëndeti progresin e qartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në realizimin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave. Gjithashtu, po sipas tij, Këshilli inkurajoi Komisionin Evropian që të paraqesë sa më parë një propozim, me qëllim që në rastin më të mirë, deri nga fundi i vitit 2009, të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet.”

Zhak Barrot

“Komisioni Evropian do të propozojnë të martën e ardhshme në Strasburg liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij propozimi, regjimi i ri i vizave do të nisë më 1 janar. Vendet e para që do të përfitojnë do të jenë Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja duhet të presin deri në fund të 2010-s, pasi ato duhet të plotësojnë disa kërkesa”, - tha zv/presidenti i KE-së Barrot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›