Rama: Mandatin e 9 në Fier, ndryshe mosnjohje zgjedhjesh dhe reagim popullor
TIRANË- Pak orë para mbledhjes së KQZ, për marrjen e vendimit lidhur me kutitë e Fierit, kreu i PS-së, Edi Rama ka lëshuar edhe njëherë apelin për mos prekjen e mandatit të 9-të të socialistëve në këtë qark. Gjatë një konference për shtyp, Rama ka deklaruar se çifti i ri i politikës së vjetër, Berisha-Meta ka bërë një lojë të turpshme, ndërkohë që ka garantuar se nuk ka ndër mend ta lërë në mes betejen për të çuar në vend vullnetin e zgjedhësve.
"Sali Berisha dhe Ilir Meta, dyfytyrësia e interesave politike tërësisht personale e klanore, me shpifje të ulëta u munduan të nënshtrojnë PS, por nuk do ta arrijnë.
Çifti i ri i politikës së vjetër ka lindur për të mbajtur peng dhe plaçkitur atdheun e tyre"- tha Rama, duke deklaruar se Partia Socialiste është më e fortë se kurrë.
Ai ka qenë kategorik teksa ka përsëritur edhe njëherë apelin për të mos vënë dorë në mandatin e nëntë të socialistëve në Fier. "Mos prekni mandatin e 9 të socialistëve në Fier, se do të përballeni jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por me reagimin e merituar të popullit të Fierit dhe vendit"- tha Rama, duke shtuar se është më i bindur se kurrë për zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit.
Ai ka thënë se PS-ja nuk është si Meta e Berisha që tjetër thonë e tjetër bëjnë, por do të jetë në krye të betejës për mbrojtjen me çdo kusht të lirisë dhe demokracisë së vendit; mbrojtjen e të drejtës së zgjedhësve që kanë votuar për t'u ndarë nga e shkuara.
"Koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve"- ka përfunduar fjalën e tij Rama.