E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shikasi Kumbaro kërkon lirinë në Gjykatën e Apelit

10/07/2009  I pandehur për dosjen e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha

TIRANË- Ilir Kumbaro, i arrestuar në Britaninë e Madhe, ka pranuar të dalë hapur me emrin e tij duke hequr të gjitha hamendësimet. Pasi legjitimoi avokatin mbrojtës në seancë gjyqësore të hapur prej disa kohësh, Kumbaro menjëherë kërkoi heqjen e masës së arrestit. Sipas avokatit mbrojtës, masa e arrestit për Kumbaron është rrëzuar tashmë që në vitin 2003 dhe në këto kushte nuk mund të mbahet ende e ngritur. Por kërkesa e marrë në shqyrtim nuk u miratua nga Gjykata e Shkallës së Parë. Menjëherë reagimi qe i shpejtë. Avokati mbrojtës e ankimoi vendimin e Shkallës së Parë në atë të Apelit. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se avokati ka depozituar në Gjykatën e Apelit Tiranë kërkesën për të ndryshuar masën e sigurimit për Ilir Kumbaron. Njëkohësisht me kërkesën është duke u zhvilluar edhe procesi gjyqësor, i cili ka disa kohë që ka mbetur në heshtje. Kumbaro akuzohet se në bashkëpunim me Arben Sefgjinin, Avni Koldashin, në kohën kur kanë punuar si funksionar në SHIK. Bëhet fjalë për vitin 1995. Pikërisht në këtë vit është rrëmbyer dhe më pas zhdukur në rrethana misterioze shqiptaro- maqedonasi Remzi Hoxha. Ilir Kumbaro është akuzuar nga organi i Prokurorisë se ka marr pjesë në rrëmbimin e Remzi Hoxhës. Pavarësisht akuzave ai i ka kundërshtuar duke pretenduar se është duke u bërë një lojë jo e pastër. Megjithatë, pas depozitimit të kërkesës në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, pritet të dalë një vendim për fatin e Ilir Kumbaros, i cili ende nuk është ekstraduar nga Britania e Madhe. Bashkë me Kumbaron është edhe Arben Sefgjini e Avni Koldashi, ndërsa Budjon Meçe është veçuar nga dosja. Shkak për veçimin e emrit të tij është bërë gjendja e rënduar shëndetësore. Dosja e Remzi Hoxhës është hapur dhe mbyllur të paktën dy herë. Organi i Prokurorisë pasi nisi hetimet fill pas zhdukjes dhe me kërkesë të familjarëve, i mbylli ato për mungesë provash. Jo vetëm kaq, por në vitin 2004 të pandehurit fituan lirinë nga gjykata. Ka qenë vet akuza ajo që pezulloi çështjen, pasi nuk kishte prova konkrete. Disa vjet më pas, pikërisht në vitin 2006, akuza rihap sërish dosjen. Merren në hetim katër persona. Për akuzën tashmë gjithçka është e qartë. Xhevat Hana, prokurori i çështjes, është shprehur disa herë se e ka zbardhur skemën e krimit makabër që ka ndodhur. Katër shikasit akuzohen se kanë rrëmbyer persona të ndryshëm dhe më pas ata i kanë torturuar.

Remzi Hoxha u torturua në Vain të Lezhës

Remzi Hoxha kishte hapur biznesin e tij në Tiranë dhe ka qenë ky vendi prej nga është rrëmbyer për të mos u kthyer më. Ka qenë data 25 tetor 1995, kur një makinë e SHIK-ut, e ka marr në afërsi të banesës së tij e më pas e ka nisur drejt bazës së SHIK-ut në Vain të Lezhës. Menjëherë pas rrëmbimit familjarët janë interesuar për fatin e tij, por më kot. Kalonin ditët dhe asnjë lajm. Para gjykatës janë dhënë informacione se për rrëmbimin e tij është lajmëruar presidenti, kryeministri i asaj kohe dhe të gjitha institucionet shtetërore. Me gjithë verifikimet e bëra, Remzi Hoxha edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku prehet. Dëshmitarët që kanë qenë në bazën e shik-ut në Vain të Lezhës, i kanë treguar gjykatës se Remzi Hoxha është torturuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›