E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baruti: Atësia e vërtetë e Enver Hoxhës, e dyshimtë

Pak dihet për fëmijërinë e Enverit dhe ajo ç'mbeti rrëfehet nga vetë Enveri në memoriet e tij të botuara në vitet e fundit të jetës. Enveri në rrëfimet e tij tregon dashuri për baba Çenin dhe është thuajse i ftohtë me xhaxhanë-baba". Kështu shprehet studiuesi Vasfi Baruti në librin e tij "Enver Hoxha në optikë të re", botuar nga "Uegen". Duket se aludon mbi atësinë e Hoxhës... Sipas tij, disa mendojnë se afria me baba Çenin (xhaxhanë) shpjegohet se Enveri u rrit dhe u edukua nga ai, por s'kuptohet pse ishte larguar nga babai i vërtetë. Nga ana tjetër, ndonjë mendon se baba Çeni e mbajti pranë dhe e edukoi, kur i ati ishte për pesë vjet emigrant në Amerikë, por dhe ky s'është argument, pasi në Amerikë ai qëndroi vetëm një vit, siç shkruhet në biografinë e shkurtër të Enverit. "Për të gjetur të vërtetën e kësaj çudie, ndoshta duhet t'u drejtohemi legjendave e pasi të zhvishen nga pjesa e legjendës mund të mbetet thelbi i së vërtetës", shkruan Baruti.
Biografi i Enverit sjell dhe një hollësi nga një 'vëzhgim i kujdesshëm' me ndajfoljen 'kurrë': "... Një vëzhgim i kujdes-shëm vërteton se Enveri nuk i tha kurrë Halil Hoxhës "baba". Ai e quan gjithmonë xhaxha."
Vëzhguesi është fare i pakujdesshëm, sepse ndajfolja 'kurrë' është e pavend; jo kurrë, por vetëm pak herë Enveri i drejtohej 'baba', dhe për këtë rrëfen një ndodhi që ia kishte treguar i ati në ditët e para të çlirimit: "... Më ka mbetur në mendje historia që më tregoi babai im ato ditë që ne u kthyem fitimtarë në Tiranën e çliruar. Pak ditë pasi në Berat qe krijuar Qeveria jonë Demokratike, e kishte ndalur në rrugë një i njohur i vjetër, ballist, dhe gjithë qesëndi i kishte thënë:
- "E, o Halil, si e ndien veten tani që u bëre babai i zotit kryeministër?"
- "Si gjithë vegjëlia",- i qe përgjigjur qetë-qetë babai dhe, pa ia zgjatur kishte bërë të vazhdonte udhën, por ai e kishte zënë për krahu. - Je qerrata i madh ti Halil, bën mirë që s'e vret përpjetë, se e di mirë që Qeveria e djalit tënd s'e ka të gjatë".
- "Ç'thua, more edepsëz! Ia ktheu babai, por ballisti kishte vazhduar: "E pse, kjo qeveri, me nder, e bythëgrisurve që po vijnë nga malet, kjo qeveri e rigonit do nxjerrë në selamet Shqipërinë?"
- "Jazëk! Ia ktheva. Më tregoi plaku. - Qeveria s'është e djalit tim, por e popullit more edepsëz i edepsëzëve, dhe do të rrojë sa të rrojë populli.
Ndërkaq, duhet vënë në dukje edhe një detaj tjetër, ashtu sikundër e ka vënë në dukje edhe autori i librit. "Fëmijëria e Enverit, - thotë Baruti, - ka një ngjashmëri me fëmijërinë e Stalinit". Për këtë, ai citon Simon Sebag Montefiore, veprën e "Stalini në oborrin e kuq të Carit". "Stalini më 1888 hyri në shkollën e kishës, në Gori. Stalini, i dominuar nga figurat e priftërinjve. Nëna e Stalinit është një grua fetare... Legjenda vë në diskutim atësinë e Stalinit. Ka të ngjarë që Stalini të jetë djali i nunit të vet, një bujtinar i pasur me emrin Komba Egnatshvil. Dhe një herë, Stalini tha se babai i tij i vërtetë ishte një prift. E ëma donte që Stalini të bëhej prift si babai i tij i vërtetë".
Fëmijëria
Ishte shkruar se Enveri në fëmijërinë e tij s'kishte ndonjë gjë për t'u dalluar në personalitetin e tij. Dhe kur sheh ca foto dalë në fëmijërinë e tij atëherë 12 vjeç, s'mund të mos dallohet Enveri që pozon si të ishte një artist, dhe tepër karizmatik me atë papijon, "si një lord i vogël" që s'shihet tek moshatarët, apo me ato balluke të mëdha. Enveri i vogël kishte shumë dukje me moshatarët.
Enveri, në dhjetëvjeçarin e fundit shfaqi mjeshtëri aktoriale në rrëfimin e ngjarjeve, paçka të vërtetave të tyre, dhe kësi aftësish në thelb i kishte që në adoleshencën e hershme.
Kur Enveri ishte 23 vjeç, mban një falim të shkruar mjaft mirë, në ceremoninë mortore të studentit Vehab Ciu. Enveri shihet në pjesëmarrje aktive dhe me role të rëndësishme në teatrin e shoqërisë "Studenti". Ai kishte aftësi në letërsi, histori, më shumë në arte. Është një konstatim jo i saktë ai i biografit, se Enveri s'kishte gjë që mund të binte në sy, apo i vajti rol episodik në dramën 'Besa'. E vërteta është se Enveri ishte anëtari aktiv e impulsiv i grupit teatror "Studenti", i cili jepte shfaqje teatrore në Gjirokastër, Delvinë e Sarandë, madje vazhdon të aktrojë edhe në pushimet e vitit të parë të Liceut të Korçës, verën e 1928-ës. Enveri, me prirje aktoreske do kishte bërë emër nëse do vazhdonte rrugën e artit. Në Arkiv shihet dhe një foto aktoriale: në rreshtin e parë, i pari nga e djathta. Gjurmë të Enverit në shfaqje teatrore mbetën edhe në shtypin e kohës, me një karakterizim të qartë aktorial të liceistit Enver në Gjirokastër. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›