Basha & Olldashi Një garë e trukuar
Përkundër premtimit të Berishës për asnjanësi për garën për pasardhësin e tij në krye të PD-së, të paktën dy nga tre javët e fushatës së kandidatëve, u zhvilluan nën shenjën e tij. Çfarë po ndodh mbas fitores së Bashës, pezmit të Olldashit dhe çfarë parathotë heshtja që ka mbuluar partinë që ende drejton vendin mbas humbjes së 23 qershorit, por që në korrik shpiku një garë në të cilën parathoshte fitore të demokracisë së saj të brendshme
Nga Lorenc Vangjeli*
Pothuajse askush nuk e di me saktësi se çfarë ka menduar Sali Berisha gjatë javës së parë të fushatës për zgjedhjen e pasardhësit e tij në parti. Pothuajse askush nuk di se çfarë e detyroi faraonin e të djathtës që të ndryshojë më pas premtimin e tij solemn: kjo do të jetë një garë e hapur dhe unë nuk kam parapëlqim për asnjërin nga dy kandidatët në garë, Basha dhe Olldashi. Edhe Bashës, edhe Olldashit, në takime të veçanta përpara shpalljes së kandidaturave zyrtare ju kishte bërë pikërisht këtë premtim: unë nuk ndërhyj në garë. Sepse edhe Basha, edhe Olldashi me saktësi dinin vetëm këtë detaj: kandidati që do të kishte mbështetjen e Berishës, do të fitonte në mënyrë absolute. Por diçka ndodhi. Ndodhi diçka larg syve dhe vëmendjes së publikut, por dhe zyrtarëve më të lartë të PD-së dhe Doktori ndërroi mendje. Duke u bërë palë me njërën nga palët në garë, me Lulzim Bashën, i cili edhe e fitoi atë garë.
As Basha dhe as Olldashi nuk kanë folur që nga dita që doli rezultati.
I pari, priti që fitoren e tij ta shpallë mentori i tij i pazëvendësueshëm dhe pastaj falenderoi edhe rivalin e tij.
I dyti i përzjeu të dy në llogoren përballë, edhe Berishën, edhe Bashën. Duke e konsideruar garën si të deformuar, por pa përmendur as emrin e njërit dhe as emrin e tjetrit.
Çfarë ka ndodhur, pra, nën sipërfaqe, në fshehtësi me Berishën që e bëri i pari zgjedhjen e tij? Nuk ka prova të dukshme, por për motivet e tij vetëm mund të hamendësohen. Vetëm me hamendje mund të mbërrihet tek arsyet që e detyruan Berishën që, ditë përpara se demokratët të shkonin në kutitë e votimit për kryetarin e ri, të krijonte klimën për një votë të paradeklaruar kryeministrore. Shumë figura autoritare të së djathtës të kontaktuara nga revista Java japin një sërë versionesh që në thelb janë të njëjta mbi ato arsye: ishte një zgjedhje e diktuar nga zemra dhe jo nga logjika. Ishte një garë tek e cila Doktori kërkonte më shumë formën sesa përmbajtjen. Ishte një proces në fund të të cilit ai kishte parapërgatitur të thoshte pothuaj duke e besuar dhe vetë se kjo ishte gara më demokratike në nivel partiak e zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri dhe se duke ju referuar moshës dhe jo vetëm asaj të Bashës, ai do të gjykonte se: Kjo gjeneratë gjen veten në PD, pavarësisht se ku është, PD duhet të ngrihet në lartësinë e aspiratave të kësaj gjenerate dhe unë do të bëj gjithçka që ata të gjejnë vendin e tyre. Dhe në fakt bëri gjithçka kishte në dorë duke pasur gjithçka në dorë, për të pilotuar votën e disa dhjetra mijëra antarëve të PD-së në favor të Bashës. Arrin një pikë kur sovrani nuk ka më nevojë të urdhërojë dhe të kërkojë. Vetë vartësit e tij, nga një mori shenjash dhe kumtesh, zbulojnë çfarë sovrani dëshiron. Njëlloj si anekdota historike me dorën e mbledhur grusht të faraonit që i pyeste të gjithë oborrtarët me kërcënim: gjeni çfarë kam në dorë!
Shenjat e para
Shenjat e para ishin të dukshme që para se të fillonte gara. Ose më saktë që në momentin kur Berisha konceptoi se nuk ja vlente që pasardhësin e tij në parti ta zgjidhte me dekret. Siç është zakoni për të përcaktuar karrierën politike të çdokujt dhe jo vetëm në PD. Hapi i parë: ndryshe nga sa ishte e shprehur në statut, zgjedhja e kryetarit të ri të partisë do të bëhej sipas parimit një antar, një votë. Hapi i dytë: koha e shkurtër e lënë në dispozicion për fushatë. Njëri nga kandidatët, Olldashi kërkoi zgjatjen e afatit, brenda të njëjtës ditë të kërkesës, ajo u refuzua nga kryesia e partisë së tij. Hapi i tretë ishte mbajtja larg nga gara e gjithë figurave të tjera të rëndësishme të PD-së. Ritvan Bode, Astrit Patozi, Genc Ruli e Mesila Doda, të rreshtuar me shpirt dhe për shpirt me Olldashin, u detyruan që publikisht të deklaronin pasivitetin e tyre. Doda, me një gjest të papritur kurajoje, nuk e bëri një gjë të tillë. Me një gjest të papritur nënshtrimi ndaj vijës zyrtare, të kundërtën bëri Jozefina Topalli. Edhe pse përballë Olldashit shihte në garë njeriun me të cilin ajo ka ndarë në tetë vjet antipatinë më të thellë të mundshme politike. Topalli e shprehu qëndrimin e saj në lodrën e re argëtuese të politikanëve, në Facebook. E bëri pa lënë shteg për asnjë dilemë duke lënë të kuptohej se Olldashit nuk mund ti jepte më shumë sesa votën e saj.
Djalli fshihet në detaje dhe menjëherë mbas javës së parë të garës nisën të shfaqen detajet e para. Në një nivel të ulët, por që dëshmuan menjëherë humorin në nivelin e lartë partiak. Dy këshilltarë, njëri i Berishës, Glori Hysi dhe tjetri i Bodes, Elvi Fundo, u përfshinë direkt në fushatë. I pari në Gjirokastër. Kishte treguar se sipas tij kryeministri e kishte vendosur tashmë se cili do të ishte kryetari i ri. Domethënë Basha. Olldashi ankohet tek Berisha për të duke i shpjeguar se këshilltari pretendonte se fliste në emër të vetë kryeministrit. Një ballafaqim i shpejtë dhe përtej kësaj, Berisha zbulon kahun tjetër të përfshirjes në Korçë. Kësaj radhe për llogari të Olldashit. Edhe përfshirjen e kryetarit të PD-së së degës lokale Gjergji Pano. E më tej akoma, edhe emrat e të besuarve të tij, Bode, Ruli, Patozi e Doda. Befasia ishte tek Majlinda Bregu. Edhe ajo nuk e donte Bashën kryetar të PD-së. Njëlloj si kryetari i PD-së Kollozi në Vlorë, Igli Cara në Durrës e të tjerë gjetkë, kush më shumë e kush më pak i njohur, dukej se kishin paracaktuar fatin e garës. Përballë dhe në krah të Bashës ishte vetëm Aldo Bumçi, ministër i jashtëm, por me pak ndikim në parti. Ky është momenti që të gjithë besojnë se ndodhi ndërhyrja energjike, por e pazëshme dhe e pabujshme e Berishës. Duke nisur me përpilimin e listave të anëtarëve të PD-së që do të ftoheshin të votonin. Ato lista që për ironi të fatit, njërit prej kandidatëve nuk ju dhanë kurrë në dispozicion. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve, do të thoshte gjithë pezm Olldashi të nesërmen e votimit. Pa e lënë këtu pezmin e tij. Në një nga ditët më serioze të karrierës së tij ai provon dhe ironinë: Dita e votimit provoi se m