Mësimet e rrugëve
Nevojat ekonomike për punë nuk e zhbëjnë nevojën për rrugë. Përkundrazi, ato e forcojnë atë, por jo në masën sa që nevoja për rrugë të jetë i vetmi prioritet qeverisës
Nga Lumir Abdixhiku*
Në gjithë vrullin e debateve politike, me apo pa inat, me apo pa fakte, me apo pa dije, një fotografi bëhet disi gjithnjë më e qartë. Kjo fotografi tregon se Kosova nën menaxhimin e kësaj qeverie (dhe paraardhëses së saj) nuk ka pasur asnjëherë as më të voglin haber për udhëheqje ekonomike. Në të vërtetë, përveç aty-këtu ca militantëve partiakë e përkrahësve ultras të saj, njeriu gjen sot vështirë një mendim të pavarur e përkrahës ndaj politikave të deritanishme ekonomike. Sikur të mos ishin ato konferencat e fundvitit vetëlavdëruese (gjithsesi bajate), ato flirtet e asociacioneve e sindikatave të çastit (gjithsesi irrituese), apo edhe deklaratat e pazareve zëvendësministrore (gjithsesi pakurrizore), i cekët dhe i zbehtë do të dukej vlerësimi pozitiv i jashtëm për e ndaj Qeverisë; në të vërtetë as që do të kishte vlerësim të tillë.
Qeverisë, thënë të drejtën, i duhen më së paku deklaratat e sotme se ka punë shumë po nuk ka punëtorë, apo ato të djeshmit se jemi vendi më i pakorruptuar në botë. Qeverisë i duhen më së paku deklaratat e mendimet që ngjallin keqardhje e gërditje nga mendja e shëndoshë. Kosovarët megjithatë nuk janë aq të çmendur sa të jetojnë nga trajtimet e tilla. Në të vërtetë, ishin mu mendimet e trajtimet si këto të dhëna nga qeveritë e para 2007-s, kryesisht nga njerëz që sot çuditërisht ringjiten vrullshëm në politikë, që i kishin dhënë komfortin fitues mu kësaj qeverie. Të njëjtët sot ribëjnë gabimet që kishin rrënuar të parët.
Pavarësisht kësaj, përtej grithjeve irrituese, mbështetjeve përulëse e rrahje-shpinave për kusur, ato pak mendje të ditura në këtë Qeveri e dinë fare mirë se diçka nuk shkon mbarë në vend. Përtej investimeve publike të bollshme, përtej stabilitetit në borxh të jashtëm, e përtej reformave procedurale në të bërit biznes, Kosova megjithatë nuk po arrin se nuk po arrin të rimëkëmbet ekonomikisht. Papunësia vazhdon të mbetet e njëjtë, rritja ekonomike larg prej të planifikuarës (edhe më larg prej të dëshirueshmes), investimet e investitorët e huaj aspak e asnjëherë seriozë, hendeku tregtar në rritje më të thellë, normat e interesit të ngurtësuara në sa kohë, e mbi të gjitha krizat sociale veçse shpërthyen në azil-kërkim. Të njëjtët e dinë se diçka megjithatë nuk po shkon mbarë; paj… të paktën shpresoj sinqerisht që e dinë.
Pse nuk shkon mbarë? Sepse përderisa të njëjtët përtej korrupsionit, hajnisë, haraçit, evazionit, shantazhit e në fund amnistisë kanë koncentruar gjithë energjinë ekonomike në rrugë, falje të aseteve, e disa reforma regjistruese për bizneset, nevojat e ekonomike kanë evoluar shumë më ndryshe. Rrugët megjithatë nuk shërbyen bizneset e vendit për këmbim, sepse ata nuk kishin çfarë të këmbenin (përkundrazi shërbyen të huajat); faljet e aseteve nuk sollën investitorë, sepse nuk kishin ku të investonin (përkundrazi sollën tyxharë të pazareve orientale); e reformat në regjistrim shpejtuan rritjen e bizneseve sepse ata kishin halle të tjera. Pra në dell të nënvlerësimit mbi nevojat reale të bizneseve, Qeveria jonë është marrë me zgjidhjen e problemeve tërësisht irrelevante. E do ti duhej vetëm një vështrim në vlerësimet ekonomike të sektorit privat për të kuptuar cilat janë problemet e vërteta të tyre. Do të duhej vetëm një shikim i shkurtër në listën e barrierave për të kuptuar se rrugët (e infrastruktura), transformimi i aseteve, apo dhe procedurat e hapje-mbylljes, nuk janë asnjëra as për së afërmi barriera kryesore për të bërit biznes. Në vend të tyre janë evazioni, informaliteti, korrupsioni, hajnia, gjyqësori dhe përfundimisht kostot e kapitalit (apo normat e interesit). As rrugët, as faljet e as procedurat regjistruese nuk trajtojnë as për së afërmi çështjet si këto. E përderisa nuk trajtojnë çështje si këto, bizneset tona nuk krijojnë punë. E përderisa bizneset tona nuk krijojnë punë, kosovarët tanë kërkojnë azil. E përderisa kosovarët tanë kërkojnë azil, të kota e të panevojshme deklaratat e rrahje-shpinave.
***
Përderisa për procedurat e parëndësishme në thelb e efekt, por të superfryera në praktikë, kam shkruar shumë, e për faljet e aseteve edhe më shumë gjithsesi gjithmonë kot së koti; këtë herë dua të shkruaj shkurt për superstradën e dytë, atë drejt Shkupit. Kjo sepse e njëjta, sikur të ndodhë ashtu siç po na thuhet, do të ngurtësojë të njëjtat probleme ekonomike që i kemi sot; e ngurtësimi i këtyre probleme për një kohë të gjatë është sinqerisht rëndesë e pakuptueshme, e padurueshme dhe e panevojshme për kosovarët.
Nëse rruga për Shkup ndërtohet siç na thuhet sot, katër-pesë vite nga sot, siç ka ndodhur në këto katër-pesë vitet e shkuara, ne ende do të diskutojmë se si rritja prej 2-3-apo-4% është rritja më e madhe në rajon; se si rrugët janë më të mirat në rajon; e se si Kosova është hambari më i madh i prodhimit në rajon. Në të njëjtën kohë të papunët tanë do të rriten, bizneset do të thahen e kosovarët do të ikin në azilkërkim; edhe më shumë. Gjithsesi normat e interesit do të mbesin prapë të njëjta, hendeku tregtar do të bëhet edhe më i thellë, e investime të jashtme do të ketë edhe më pak.
Nëse Kosova ka një përvojë ekonomike që duhet ta ketë mësuar në këto vitet e fundit, atëherë ajo përvojë thotë se koncentrimi i të gjitha investimeve kapitale në një projekt të vetëm nuk jep se nuk jep zgjidhje për nevojat ekonomike tona; rrugët megjithatë janë lehtësues të rritjes por jo burime të rritjes. E burimet e rritjes për Kosovën nuk janë as asetet e privatizuara, as minierat e pashfrytëzuara e as guroret e tjera të mitizuara – janë vetëm bizneset tona dhe iniciativat ndërmarrëse të kosovarëve që mund të krijojnë mjaftueshëm vende të reja pune sa për të krijuar vlerë ne vend; nga ku më pas prekim rritjen ekonomike, investimet e jashtme e në fund hendekun tregtar.
***
Nevojat ekonomike për punë nuk zhbëjnë nevojën për rrugë. Përkundrazi, ato e forcojnë atë, por jo në masën sa që nevoja për rrugë të jetë i vetmi prioritet. Ndonëse nuk kam dyshime se politikat drejt rrugës së Shkupit janë të pritura nga motive korruptive, siç ishin këto për Vërmicë, dua të mendoj për pakëz se një supozim i tillë është i pasaktë; se orientimi në rrugën për Shkup bëhet për motive hëpërhë të panjohura në teori ekonomike, pra alla kosovare. Ta themi se këta tanët dinë diçka më shumë se secili vend e secili shtet e secili mendimtar ekonomik tjetër i djathtë, i majtë, i qendrës apo i të gjitha nga pak. Ta shtrojmë kështu problemin, se rruga për Shkup duhet të bëhet, pavarësisht