E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha 1 miliarde euro investime ne infrastrukture

Kandidati për kryetar i bashkise së Tiranës, Lulzim Basha, parashikon në planin e tij 1 miliardë euro investime në infrastrukturë në 4 vite. Në një takim me shoqatën e ndërtuesve, Basha ka garantuar se do ti jepet fund trajtimit klientelist nga Bashkia dhe të gjithë do të gjejnë hapësirat që meritojnë. Krahas përfundimit të planit urbanistik në një vit, Basha premtoi reduktim të kohës së dhenies së lejeve të ndërtimit ne 30 dite dhe heqje të burokracive.

“Jo më vonë se maji i vitit 2012 plani urbanistik do të jetë i zbatueshëm. Që nga ky moment jo më shumë se 30 ditë, me mbi 80% e procedures, me kontakt minimal me autoritetin Bashkiak, me procedurë automatike, ju do të jeni në gjendje të aplikoni dhe të merrni lejet e ndërtimit dhe ti vini ato në zbatim. Afroj një trajtim jo klientelist, të hapur ku secili prej jush do të gjeje hapsirën që meriton dhe kërkon. Ne do të nisim në një kohë fare të shkurtër një operacion gjigant përsa i përket inftrastrukturës në Tiranë. Kronologjia e kësaj axhende fillon me tenderimin brenda këtij viti të një pjesë të Unazës së madhe, e cila fillon nga ura e Brarit deri tek ura e Kamzës, me një vlerë fillastare të përllogaritur prej 270 milion euro. Si dhe tenderimin brenda këtij viti të projektit të kanalizimeve të Tiranës, me një vlerë 100 milion euro, nga të cilat, më shumë se gjysma janë siguruar. Brenda qershorit 2012, nisjen e punimeve për linjën Kinostudio-Kombinat të tramvajit, dhe Brenda Dhjetorit 2012 nisja e linjës tjetër Bregu Lumit-Selitë po me një vlerë të përllogaritur prej 100 milion eurosh. Kemi 170 milion euro rezervuar për nënkalime, parkime nëntoksore, akse të reja, dhe ndërhyrje të tjera brenda qytetit. Kemi 170 milione euro për një park të ri, të madh të Tiranës, rrjetin e rrugëve të brendëshme të qytetit, sistemimin e lagjeve me infrastrekturë sekondare dhe 230 milion euro për objekte të tjera të infrastrukurës sociale, kulturore, arsimore, pra kemi në total të planifikuar sipas këtij projekti, investime pak mbi 1 miliard euro në katër vitet e ardhëshme”, u shpreh Basha para ndertuesve.

Kandidati për kryebashkiak siguroi se kriteri i vetëm i përzgjedhjes së kompanive që do te kryejnë keto punime do të jetë cilesia dhe afati i përfundimit të punimeve

“Ajo që më ka interesuar gjithmonë është cilësia e punimit dhe afatet e punimit. Ju mateni me cilësinë dhe afatet e ndërtimit të veprave, unë matem me cilësinë dhe afatin e premtimeve të mia, sepse 4 vjet edhe në konstruksion edhe në politikë ecin shumë shpejt”, tha Basha.
Basha ritheksoi angazhimin e tij për hipotekimin e apartamenteve brenda 6 muajsh, vlerësim real të pronës dhe krijimin e hapësirave publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›