Basha: 2009-a shënoi rekordin e penalizimit të zyrtarëve, me akuzën e korrupsionit
Tryeza e përbashkët me OSBE-në e vlerëson si të efektshëm bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, ndërsa konstaton se zyrtarë politikë e publikë kanë qenë objekt i luftës antikorrupsion
Vitet e fundit statistikat tregojnë një numër të madh të rasteve të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por, këto marrëdhënie korruptive janë pika nevralgjike ku institucionet e hetimit po investojnë në bashkëpunim me vëzhgues të huaj, në përmirësimin e imazhit të zyrtarit në Shqipëri.
Me gjithë, arritjet lufta kundër korrupsionit në Administratën Publike shqiptare, mbetet ende problem real.
Në një konkluzion të tillë, është arritur dje, në takimin e organizuar nga ILDKP dhe Organizata për Sigurim e Bashkimit Europian (OSBE), ku edhe u shpërndanë më pas, certifikatat e trajnimit për parandalimin e konfliktit të interesit për 600 zyrtarë të Administratës Publike të trajnuar.
Për ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, lufta ndaj këtij fenomeni mbetet prioritare dhe ka dhënë rezultate. “Shqipëria në vitet 2007, 2008, 2009, prezantoi, implementoi dhe zbatoi - ende në një masë të panjohur - procedurat elektronike, të cilat përveçse transparencës së pushtetit shmangin apo zvogëlojnë, marxhet e diskrecionit të administratës publike, duke mundësuar një kontakt të shpejt, transparent dhe bashkëpunim eficent, midis administratës, qytetarit dhe konsumatorit. Periudha shtator 2009 – shkurt 2010 shënon një rritje eksponenciale të kallëzimeve penale dhe aplikimin e metodave të veçanta e speciale të hetimit të zyrtarëve publikë, deri ën nivelet e stafeve politike”, u shpreh në këtë takim Lulzim Basha, Ministri i Brendshëm. Sipas një përllogaritjeje, vetëm gjatë 2009-s, 55 zyrtarë të administratës shtetërore janë penalizuar për shkak të akuzave për korrupsion apo për konflikt interesi, shifra më e lartë shumëvjeçare e regjistruar në betejën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Përfaqësues të OSBE–së, deklarojnë se do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë në një nga prioritetet e saj më të mëdha siç është lufta kundër korrupsionit dhe parandalimi i konfliktit të interesit.
“Mbështetja për qeverinë në luftën kundër korrupsionit shprehet qartë në mandatin e Prezencës. Në këtë aspekt, ne i kemi mbështetur institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile në nxitjen e parimeve dhe qasjeve të mirëqeverisjes si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel vendor. Duhet të përmend bashkëpunimin që kemi pasur me Inspektoratin e Lartë për rritjen e ndërgjegjësimit mes zyrtarëve publike mbi parandalimin dhe shmangien e situatave që përbëjnë konflikt interesi. Konkretisht, në vitin 2009 u trajnuan rreth 600 zyrtarë publike nga një gamë e gjerë ministrish. Jam e lumtur që shoh se shumë prej këtyre zyrtarëve janë këtu sot”, u shpreh Zëvendësambasadorja e OSBE-së në Shqipëri, Renata Hermanns.
Ndërkohë, edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka arritur një sukses të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar aftësinë e mbi 600 zyrtarë të institucioneve qendrore për parandalimin dhe shmangien konfliktin e interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Pas një serie të gjatë seminaresh trajnuese, të organizuara me mbështetjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), si edhe me angazhimin maksimal të Ministrisë së Brendshme; të Financave; të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; të Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit, dhe Ministrisë së Bujqësisë, ILDKP krijon tashmë një urë të konsoliduar bashkëpunimi ndërinstitucional për shmangien e rasteve të përfitimit personal të personave që mbajnë pushtet publik.
Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Adriatik Llalla, në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për zyrtarët e trajnuar, u shpreh se “përfunduam një seri trajnimesh me një rezultat tejet domethënës; shumë zyrtarë të administratës qendrore tashmë janë njohës të mirë të masave parandaluese dhe të shmangies së konfliktit të interesave”.