Eurodeputetët: Opozita shqiptare, e papjekur, po keqpërdoret nga Edi Rama
Drejtuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë dhe Evropën Juglindore denoncojnë sjelljen e ligjvënësve socialistë, duke e cilësuar opozitën tonë si të papjekur dhe të keqpërdorur nga interesat personale të Edi Ramës. Eurodeputetët Doris Pack dhe Jelko Kacin deklarojnë se papjekuria e opozitës dhe politikat anti-reformë që ajo po ndjek po vënë në rrezik aspiratat për integrimin e vendit në BE
Parlamenti Europian nxit dhe kërkon nga opozita shqiptare që të luajë një rol të plotë në procesin parlamentar.
Sipas tyre, opozita shqiptare është peng i keqpërdorimit nga një person i vetëm, sikurse është kryetari i PS-së Edi Rama dhe se kjo sjellje e papjekur, rrezikon integrimin e Shqipërisë.
Eurodeputetja Doris Pack thotë se hyrja e socialistëve në Kuvend vetëm për mandatet, nuk është demokratike dhe se Edi Rama duhet t’i drejtohet prokurorisë për hapjen e kutive. Për zonjën Pack, opozita po tregon mungesë pjekurie dhe ky fakt do të ndikojë edhe në integrimin e Shqipërisë.
Ndërsa zëvendëspresidenti i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Jelko Kacin, thotë se mesazhi i Ramës është i gabuar, në kohën dhe vendin e gabuar dhe që i drejtohet një audience të gabuar.
Eurodeputetja Doris Pack konsideron se hyrja në Parlament e opozitës shqiptare, vetëm për të mbajtur mandatet, nuk është demokratike.
“Hapi që bëri opozita për të hyr në parlament, ishte hapi i duhur, pasi ata janë zgjedhur për të bërë detyrën. Por ën qoftë se ata hyjnë në parlament vetëm për të mos humbur mandatet, kjo është shumë antidemokratike, pasi procedurat demokratike, parashikojnë pjesëmarrjen dhe kontributin në Parlament”, u shpreh Pack.
Sipas saj, edhe kërkesa e opozitës, hetimet e zgjedhjeve apo mendimet e ligjit të komisioneve hetimore parlamentare, nuk ka asnjë kuptim, për aq kohë sa vetë deputetët nuk janë pjesë e procesit parlamentar.
“Opozita ka paraqitur propozime te saj legjislative, por për deri sa ata nuk hyjnë në sallën e Parlamentit për të mbrojtur këto propozime, atëherë çfarë presin ata nga ky Kuvend. Ata duhet të jenë aty, të punojnë në Parlament. Duke dëgjuar deklaratat e opozitës, shihet se ata nuk po respektojnë Kushtetutën. Kam dëgjuar për hetime dhe hapje kutish në Ruzhdie. Por, kjo u bë pasi Prokuroria dha urdhër për këtë gjë. Edhe Edi Rama mund t’i drejtohej Prokurisës kur të dojë, në qoftë se ai ka arsye apo dyshime për zgjedhjet, por ai nuk po e bënë këtë, duke ia kërkuar hapjen e kutive qeverisë. Por qeveria nuk mund të hapë kuti”, shtoi më tej Eurodeputetja Dors Pack.
Paradoksi i eurodeputetëve qëndron në faktin se ndërsa serbët e Kosovës, përfshihen në institucionet e këtij shteti të ri, për të përcjellë mesazhe bashkëjetese dhe bashkëpunimi me shqiptarët, duke i thënë “jo” bojkotit, shqiptarët e Shqipërisë, nuk po munden të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët.
“Mesazhi i serbëve të Kosovës, për të marrë pjesë në institucionet shtetërore të Kosovës, është një mesazh i mirë, ndërkohë që ajo që bën Edi Rama, është një mesazh i gabuar. Edi Rama ka zgjedhur momentin e gabuar për të bërë një gjë të gabuar. Më vjen keq që e them këtë”, shprehet midis të tjerave Jelko Kacin Zëvendëspresidenti i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore.
Ndërkohë, Eurodeputetja Doris Pack, shton më tej se, opozita po keqpërdoret nga një person i vetëm dhe se mungesa e papjekurisë së saj, rrezikon integrimin e vendit.
“Opozita po tregon mungesë pjekurie dhe ky fakt do të ndikojë edhe në integrimin e Shqipërisë. Ata duhet të hyjnë e marrin pjesë në proceset parlamentare dhe të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme. Kjo është puna e tyre. Më vjen keq të them, se e gjithë opozita shqiptare, po përdoret nga një person i vetëm. Për ata që mund të kenë rezerva për atë që unë shprehem në këtë mënyrë, mund t’ju kujtojë se këtë qëndrim kam mbajtur dhe kështu i jam drejtuar edhe Sali Berishës. Dhe këtë qëndrim dhe këto deklarata i bëj për të mirën e Shqipërisë”.