E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Anëtarët e PD-së do të jenë pjesë vendimmarrëse e saj

bashaKryetari i Bashkisë së Tiranës njëherësh kandidat për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me anëtarë të PD-së në njësitë bashkiake numër 8, 9 dhe 10 në kryeqytet ku prezantoi platformën e tij për drejtimin e PD-së. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se çdo anëtar i PD-së do të jetë pjesë vendimmarrëse e kësaj partie duke votuar për përzgjedhjen e kandidaturave drejtuese e kandidatëve për deputetë si dhe për drejtuesit vendor.
Platforma
Çdo anëtar i Partisë Demokratike, që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri tek përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Për mua, është hapi i parë drejt fillimit të ri. Ju garantoj se me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë kryesocialistin dhe do i rikthejmë pushtetin PD, tha Basha. Në vijim, Basha theksoi se demokratët, nën drejtimin e tij do u rikthejnë shpejt shqiptarëve mazhorancën morale, pasi sipas tij, mazhoranca e re dëshmoi se është kundër interesit të qytetarëve dhe është vetëm mazhorancë pazaresh. Përballemi sot me një mazhorancë që është standardi më i ulët i së kaluarës 22 vjeçare. Ata janë Shqipëria e dredhive dhe e pazareve. Ata janë Shqipëria e mashtrimit dhe e tjetërsimit, një mazhorancë me sy të babëzitur drejt pasurive publike të shqiptarëve. PD duhet të jetë gati ti përgjigjet, si mazhoranca morale e shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen, u shpreh Basha. Në përfundim, Lulzim Basha tha se në themel të fillimit të ri qëndron evidentimi i plotë i kontributeve të anëtarëve të PD dhe vlerësimin e përhershëm të këtij kontributi. Analiza duhet dhe do të fillojë me evidentimin e plotë të kontributit të anëtarësisë së PD ndër vite. Nuk ka dhe nuk mund të ketë një fillim të ri, pa bërë të mundur që gjithçka që anëtarët e PD japin dhe kanë dhënë ndër vite, të evidentohet dhe të kthehet në një kapital të çmuar politik për forcën tonë politike dhe jo të harrohet në krye të çdo fitoreje, përfundoi Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›