Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Indisë për shmangien e taksimit të dyfishtë
Më 8 korrik 2013, në mjediset e Ministrisë së Financave, në Nju Delhi, u nënshkrua marrëveshja midis Qeverisë së Republikës së Indisë dhe Këshillit të Ministrave te Republikës së Shqipërisë, për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal në Lidhje me Tatimet mbi të Ardhurat dhe Kapitalin. Sipas një njoftimi nga Ministria e Jashtme, thuhet se nga pala shqiptare nënshkrimi u krye nga ana e Ambasadorit Dr. Fatos Kërçiku, ndërsa nga pala Indiane nënshkrimi u krye nga ana Kryetares së Bordit Qendror të Taksave Direkte & Sekretare Speciale e Qeverisë Indiane Dr. Sudha Sharma. Kjo Marrëveshje do të zbatohet për persona të cilët janë rezidentë të njërit, ose të dy Shteteve Kontraktuese, për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, të vendosura në emër të një Shteti Kontraktues ose të nënndarjeve administrative apo autoriteteve të tij lokale. Gjithashtu marrëveshja përmban dispozita për procedurat reciproke, ku, autoritetet kompetente të dy vendeve, mund të diskutojnë rastet individuale për të eliminuar rastet e taksimit të dyfishtë.