E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Aplikimi për në BE, brenda këtij mandati



Basha, në Dibër: Mbajtëm të gjitha premtimet

“Rama, i lidhur me të shkuarën komuniste”

Pavarsisht spekulimeve të politikave të bllofit të opozitës së majtë, Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në BE brenda këtij mandati qeverisës. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, siguroi dje shqiptarët se pas pak javësh Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s dhe fill pas këtij momenti, do vijë dhe aplikimi për në BE. Z. Basha mori pjesë dje në 18-vjetorin e krijimit të PD-së së Dibrës, nga ku foli për arritjet e qeverisë së djathtë, me pohimin se ajo i mbajti të gjitha premtimet e bëra në 2005-n. Z. Lulzim Basha bëri të qartë se falë vullnetit politik dhe punës me përkushtim gjatë këtij mandati u bënë realitet një numër i madh premtimesh, si investimet në infrastrukturë, rritja e rrogave dhe pensioneve etj. Sipas z. Basha, falë arritjeve, Shqipëria është sot një vend ndryshe, një vend i cili është bërë i besueshëm dhe që për pak javë zë me dinjitet vendin e tij në NATO, si anëtar me të drejta të plota. “Falë këtij besimi dhe përkundër spekulimeve të politikës së bllofit, qeveria shqiptare do të aplikojë brenda këtij mandati për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dhe falë këtij besimi, qeveria shqiptare po ecën e sigurt në procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë dhe do ta kurorëzojë atë me sukses”, - deklaroi z. Basha. Ministri i Jashtëm, njëherësh dhe anëtar i kryesisë së PD-së, vuri në dukje se ndryshimi ynë është realitet i prekshëm dhe jo gënjeshtra boshe si ato që emeton dhe marketon kryetari aktual i PS-së. Për këtë, Basha shtoi se Rama nuk përfaqëson të ardhmen, por të shkuarën e dhimbshme, nga e cila shqiptarët u shkëputën përfundimisht më pak se 4 vite më parë. Por kryediplomati shqiptar shprehu besimin se shqiptarët do të zgjedhin më 28 qershor për të ecur përpara dhe jo për t’u kthyer pas. PD-ja Dega Dibër organizoi dje një aktivitet për të përkujtuar 18-vjetorin e themelimit të kësaj dege në vitin 1991, në të cilin morën pjesë anëtarë dhe drejtues të kësaj dege. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, z. Ilir Bano, zv.ministri i Financave, z. Sherefedin Shehu etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›