E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Zgjedhjet e qershorit, mundësia që nuk duhet humbur

Kreu socialist, Edi Rama, ka vijuar turin e tij të takimeve me vullnetarët, në qytetin e Gjirokastrës

GJIROKASTËR- "Më 28 qershor ne do të bëjmë historinë". Ka qenë kjo kryefjala e takimit të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, me vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim, në qytetin e Gjirokastrës.


Në një atmosferë të ndezur, i shoqëruar nga deputetët Gramoz Ruçi dhe Vangjel Tavo, kryesocialisti ka akuzuar qeverisjen aktuale për mashtrime, duke u bërë thirrje njëkohësisht shqiptarëve, që t'i japin fund asaj me votë. "Kjo politikë e vjetër që jeton me dështimet që i shkakton vetë, duhet të marrë fund dhe ne duhet të konkurrojmë se kush i bën gjërat më mirë në shërbim të njerëzve, kush mendon më mirë e punon më mirë për rrugëzgjidhjen e problemeve të vendit, kush ushqen më shumë shpresë e besim tek Shqipëria e tek njerëzit dhe jo kush bllokon, pengon e shan më shumë tjetrin, duke nxitur mllefin e përçarjen mes njerëzve dhe duke vonuar vendin në rrugën e krijimit të mirëqenies e të bashkimit me Evropën", - është shprehur Rama.

Analfabetizmi, problemet në sistemin arsimor, varfëria, papunësia, kanë qenë disa prej temave të prekura. "Ata ju çojnë çdo muaj faturën e papërballueshme aforfe të kostos së rritur të jetesës, kurse vetë dalin në televizor për t'ju thënë se sa mirë jetoni. Ju nuk keni dritë, ata ju thonë se jua japin 24 orë, pavarësisht se juve ju ikin dritat. Ju nuk keni punë, ata ju thonë se Shqipëria po zhvillohet më shpejt se Kina. Ju nuk arrini dot fundin e muajit dhe nuk blini dot as ilaçet, e jo më dhuratën për ditëlindjen e fëmijës, ata ju thonë se ju kanë rritur pensionin e rrogën, si asnjëherë më parë. Ju nuk keni certifikatën e pronësisë mbi tokën që punoni, ata ju thonë se kjo është një gënjeshtër e opozitës. Ju nuk i blini dot fëmijës abetaren, ata ju thonë se jemi në moshën e internetit", - është shprehur Rama, ndërsa ka deklaruar gjithashtu se, për t'i dhënë fund kësaj gjendjeje politike, duhet t'i jepet fund politikës së vjetër me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të muajit qershor.


Ai, edhe një herë ka bërë të qartë se fitorja e 28 qershorit nuk do të përdoret për qëllime të ngushta, por për t'i dhënë vendit një qeverisje, që t'i shërbejë për të zgjidhur problemet dhe për ta afruar me Europën. "Kjo është edhe arsyeja pse zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë të miat, por tonat. Këto zgjedhje janë të lidhura me çka ne mund të bëjmë së bashku për të kthyer fletën e historisë, duke e kthyer politikën nga mjet ekskluziv jetese i politikanëve, në mjetin e ndryshimit në duart e qytetarëve", - është shprehur më tej Rama.


Prandaj, ka theksuar ai, këto zgjedhje janë mundësia që nuk duhet humbur për të gjithë shqiptarët, për t'u hapur rrugë shpresave e ëndrrave të fëmijëve. "Këto zgjedhje janë një udhëkryq mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe një shtysë për t'i dhënë jetë një bashkimi njerëzish, që nuk duan të mbeten peng i lojës së interesave të të njëjtave personazhe e oborresh familjare e klanore, sa djathtas e majtas.

Që në 28 qershor të mos fitojnë ata që kanë fituar gjithmonë, edhe kur kanë humbur politikanët, por të fitojnë ata që kanë humbur gjithmonë edhe kur kanë fituar qytetarët, na duhet një bashkim i ri qytetarësh dhe jo një pazar i vjetër kryetarësh", - ka deklaruar më tej kryesocialisti Rama. Ai ka ftuar, gjithashtu, të gjithë ata persona që duan Shqipërinë, të bashkohen për t'i dhënë fund kalvarit 18-vjeçar dhe për ta bërë vendin ashtu si të gjithë e ëndërronin në vitet 1990.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›