E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama mbron grupet mafioze të ndërtimit



“Klani “Rama” po mban peng planin e Tiranës”

Grupi i këshilltarëve: Rama të mbledhë këshillin

Demokratët akuzuan dje kryebashkiakun Edi Rama se është vënë në shërbim të grupeve mafioze të ndërtimit. Grupi i këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak iu referua bllokimit që z. Rama i ka bërë planit të ri rregullues të Tiranës. Ferdinand Poni, kreu i grupit të PD-së i bëri thirrje kryetarit të bashkisë që të kalojë për miratim Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës në Këshillin Bashkiak dhe të heqë dorë nga tentativa për ta sabotuar atë. “Rama po përpiqet ta zvarrisë, pengojë e sabotojë miratimin e planit, për të vazhduar të copëzojë e betonizojë Tiranën, për të vazhduar okazionalitetin abuziv të dëshirave të tij haluçinante", – theksoi z. Poni. Në një situatë të tillë, grupi i këshilltarëve bashkiakë kërkoi një mbledhje urgjente për shqyrtimin e planit rregullues në bazë të ligjit. PD-ja i kërkoi Ramës, apo sipas saj, Mister 350-ditëshit, siç e thërrasin rëndom qytetarët për zvarritjen pa fund të lejeve të ndërtimit, që ka kuptim me Mister 15%, përsa i përket gjobës së qytetarëve tek ai dhe sekserët e tij, tani që qeveria vendosi që për një leje ndërtimi të mos zgjasë procedura më shumë se 50 ditë, që do të lironte e çlironte qytetin nga tentakulat e kësaj vdekjeje të paralajmëruar të zhvillimit të biznesit dhe ka vetëm një instrument të dështuar, të shëmtuar. Poni shtoi se kërkesa e grupit të këshilltarëve të PD-së për të thirrur mbledhjen urgjente të Këshillit të Bashkisë së Tiranës mbështetet në ligjin Nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Kjo sipas tij, me qëllim që t’i jepet fund kësaj situate sa korruptive e të jashtëligjshme, kësaj situate kundër qytetarëve, biznesit e zhvillimit, kësaj situate të krijuar nga grupe klienteliste, që mbajnë peng qytetin e Tiranës e zhvillimin e tij. “Për t’i dhënë fund situatës kaotike të krijuar nga kryetari me korrespondencë i Tiranës, nga ish-kryetari i vënë në shërbim të interesave mafioze të ndërtimit”, - u shpreh Ferdinand Poni. Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë vuri në dukje se "Mister" Rama zvarrit dhe saboton miratimin e planit, për të vazhduar të copëzojë e betonizojë Tiranën. Poni denoncoi faktin se edhe pas thirrjeve të përsëritura të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve për të dërguar Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës për miratim në KRRTSH, në mënyrë të jashtëligjshme dhe të dëmshme për qytetarët dhe ndërtuesit e Tiranës, Rama nuk ka lëvizur aspak për të dërguar për miratim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Planin e Përgjithshëm Rregullues urbanistik të qytetit. Plani i ri rregullues i Tiranës tashmë është diskutuar me grupet e interesit dhe pritet mbledhja e Këshillit Bashkiak për ta miratuar atë, por që PD-ja akuzon Ramën se po e bllokon qëllimisht një gjë të tillë, për interesat e tij klanore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›