Votuesit e Berishës, kundër investimeve elektorale
Banorë të Kavajës, kanë bllokuar punimet e rrugës: Investimi është elektoral
Ndërsa Kryeministri Berisha, pak kilometra më tej priste shiritin e inaugurimit të punimeve për zgjerimin e rrugës Plepa-Rrogozhinë, banorët e qytetit të Kavajës, ku ai është zgjedhur për disa herë deputet, protestonin për cilësinë e dobët të projekteve të investimeve që po kryen nga qeverisja vendore, që i përket, po ashtu, Partisë Demokratike. Ata kanë kundërshtuar ndërtimin e rrugës së varrezave, që po ndërtohet nga fondet e pushtetit vendor, pasi në projektin e saj nuk është parashikuar kanalizimi i ujërave të zeza. Banorët e rreth 200 familjeve, kanë bllokuar punimet e firmës që ka marrë përsipër rikonstruksionin e rrugës së varrezave, pasi, sipas tyre, në projekt mungojnë kanalizimet, ndërsa shtyllat e telekomit janë në mes të rrugës. Sipas tyre, rruga po nxitohet të rikonstruktohet, me të vetmin qëllim që ajo të jetë gati përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Ky është shkaku, sipas tyre, që pushteti vendor ka harruar t'i kërkojë firmës zbatuese të projektit kanalizimet e ujërave të zeza.
"Kjo rrugë është sa për të marrë votat, pasi nuk është në parametrat që duhet",- thotë një banor i kësaj zone i revoltuar. "Nuk na shërben për asnjë arsye, sepse ne duhet të kalojmë kanalin kryesor, që t'u shërbejë shtëpive. Bashkia t'i vërë gishtin kokës dhe të bjerë përfaqësuesit këtu dhe të zbatojë të gjitha detyrimet një nga një. Në qoftë se do ta bëjë rrugën, le ta bëjë ashtu siç duhet, ose ta lërë të mos e bëjë fare", - shprehet një tjetër banor. Banorët shprehen, gjithashtu, se kanë shkuar disa herë në bashkinë e qytetit, për të kërkuar shpjegime në lidhje me projektin, por asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje. Ndërkohë, ata shtojnë se do të vazhdojnë të bllokojnë punimet e firmës, derisa përfaqësuesit e bashkisë të detyrojnë firmën të rikonstruktojë rrugën, sipas të gjitha parametrave.