Basha: Asgjë nuk do të ndërpresë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO
Kreu i diplomacisë, Lulëzim Basha, deklaroi në Londër se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE janë objektiva madhore e ndërkombëtare dhe asgjë nuk mund të ndërpresë rrugëtimin tonë drejt tyre. Në këtë drejtim, ministri Basha foli për një atmosferë optimizmi të justifikuar, përsa i përket shpresës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit në muajin prill. “Mendoj se është shumë e qartë për të gjithë palët e përfshira në këtë proces, se procesi po ecën përpara. Mesazhet janë përditë e më pozitive, por e rëndësishme është të theksohet se procesi është në vazhdim”- deklaroi ministri Basha. Sipas tij, është detyra e kryetarëve të shteteve, të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, që në Samitin e Bukureshtit, si pikë kryesore të axhendës,
të konfirmojnë edhe njëherë zgjerimin e kësaj aleance në Europën jug-lindore. “Është prerogativ i tyre, është e drejta e tyre dhe, deri në këtë moment, është mirë që fokusi i qeverive tona, i vendeve tona, të vazhdojë të mbetet tek reformat. Ato do të vazhdojnë pa u ndalur deri në atë moment dhe do t'i vazhdojmë edhe më tej, pas samitit. Atmosfera e qarqeve vendimmarrëse në raport me perspektivën, pra mundësinë e marrjes se ftesës nga ana e Shqipërisë, është në një progresion të dukshëm dhe të përditshëm. Mendoj se ky është moment për të ecur përpara, që mbi një atmosferë optimizmi të justifikuar të vazhdojmë përpjekjet tona deri në Samitin e Bukureshtit e më tej. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE janë objektiva madhore e ndërkombëtare dhe asgjë nuk mund të ndërpresë rrugëtimin tonë drejt tyre”- konkludoi kreu i diplomacisë shqiptare.
Liberalizimi i vizave me Maqedoninë, hap pozitiv për dy vendet në prag të samitit të Bukureshtit/Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vlerësoi gjatë një intervistë dhënë për Radio BBC-në, në Londër, se arritja e një projekt-marrëveshje për liberalizimin e plotë të lëvizjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, përbën një hap pozitiv për dy vendet, veçanërisht në vigjilje të samitit të Bukureshtit. Duke u ndalur te çështja e liberalizimit të vizave me Maqedoninë, zoti Basha vlerësoi faktin që përpjekjet diplomatike të Ministrisë të Jashtme, të autoriteteve shqiptare, pra përpjekjet diplomatike të dy vendeve, kanë dhënë një rezultat pozitiv. “Ai konsiston në një projekt-marrëveshje për liberalizimin e plotë të lëvizjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, e cila pritet të finalizohet në ditët dhe javët që vijnë, gjatë vizitës së kryeministrit maqedonas në Tiranë. Mendoj se ky është një lajm i mirë, jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por edhe për dashamirësit e dy vendeve në Bruksel, veçanërisht në vigjilje të Samitit të Bukureshtit, ku shpresohet që të dy vendet të marrin ftesën për anëtarësim”- tha ministri Basha.