E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Bashkë ta çojmë Ramën në opozitë. Olldashi: Nisi me mashtrime

rama-dhe-olldashiKorçë/Vlorë- Kandidatët për postin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë vijuar turin e prezantimit të platformës së tyre për drejtimin e partisë.

Basha teksa është ndalur në Korçë, Librazhd dhe Pogradec, u ka bërë thirrje demokratëve, që Bazuar në vlerat dhe përvojat tona më të mira, të bashkohemi për tu përballur edhe njëherë me Edi Ramën, për ta mundur, për ta çuar në opozitë dhe për të rikthyer PD-në, aty ku e kërkon destinacioni ynë historik, aty ku e presin shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve të ndershëm, në udhëheqje të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar evropiane- theksoi  Basha.

Basha teksa e akuzoi mazhorancën e re me një mentalitet antishtet, premtoi se që në javën e pare të drejtimit të tij, PD-ja do të ngrijë mekanizmat e nevojshëm për të mbrojtur çdo punonjës të administratës nga largimi antiligjor nga puna.

Partia Demokratike është gati që sot, të përballet në çdo rast abuzimi me pushtetin dhe goditje të administratës publike dhe shërbimit civil, në mënyrë që për çdo rast tu ballafaqojmë atyre faturën ligjore dhe detyrimin për ti rikthyer në punë, faturën financiare dhe detyrimin për ti dëmshpërblyer moralisht dhe materialisht dhe faturën morale dhe politike, për çdo akt abuzimi mbi vlerën e krijuar shoqërore të administratës publike dhe shërbimit civil në Shqipëri,- tha ai.

Ndërsa Sokol Olldashi në takimet me anëtarë të PD-së në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë, tha se PD-ja do të ndërtojë një platformë që duke shfrytëzuar si potencial opozitar qytetarët e mashtruar nga mazhoranca e re do të kthehet në pushtet.

Ne, këtë duhet ta kthejmë në potencial opozitar, duhet të trokasim në çdo derë biznesmeni të vogël dhe t’i themi zotëri të gënjeu, hajde me ne në opozitë. Rrëzoi premtimin për shëndetësinë falas, duhet t’i drejtohemi të gjithë atyre që e besuan këtë premtim dhe t’i themi zotëri ju gënjeu, hajdeni me ne në opozitë. Duhet t’u drejtohemi të gjithë atyre që i mashtroi për legalizimet dhe t’u themi, zotërinj ju gënjeu. Pa ardhur akoma në pushtet, nuk nisi me legalizimet, por nisi me shkatërrimet, ejani me ne në opozitë, u shpreh ai.

Ndërkohë, Olldashi ritheksoi përcaktimin e qartë të terrenit politik në Shqipëri, për të mos lejuar asnjë “lojtar mesi” që luan në fashën e elektoratit të pavendosur. Partia Demokratike ka të gjithë potencialin profesional, politik, intelektual për t’u përballur me kundërshtarin dhe për ta shkërmoqur. Ne duhet të kuptojmë që detyra jonë, nuk është që të presim që Edi Rama të bjerë, detyra jonë është që ta rrëzojmë Edi Ramën, një ditë e më pare, vlerësoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›