E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petersen-Thacit: Kosova është një histori suksesi

PRISHTINË- Ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen Petersen, theksoi sot gjatë një takimi me Kryeministrin Thaçi në Prishtinë se qeveria e Kosovës ka bërë punë të mirë në shumë fusha, duke dëshmuar se shteti i Kosovës është një histori suksesi.

Petersen vlerësoi gjithashtu Thaçin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit Thaçi, bisedoi me ish-kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jessen Petersen, për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, përfshirë edhe marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes dy vendeve.

Kryeministri Thaçi, sipas zyrës së tij, shprehu kënaqësinë që në rrethanat e reja të konsolidimit të shtetit të Kosovës po takohet me ish-kryeadministratorin e Kosovës, duke vlerësuar kontributin e tij gjatë shërbimit në Kosovë, po ashtu edhe në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në takimin e sotëm të kryeministrit Thaçi dhe z.Petersen u bisedua edhe për progresin e Kosovës në të gjitha sferat, me theks të veçantë anëtarësimin e Kosovës në organizatat e fuqishme ndërkombëtare dhe fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim–Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si një prej të arriturave kryesore në rrugën e integrimeve euroatlantike, dhë në të njejtën kohë si një proces i pakthyeshëm për qytetarët dhe institucionet Kosovës.

Kryeministri Thaçi duke potencuar marrëveshjen e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura që në koordinim të plotë me BE-në dhe SHBA-në të zbatojnë plotësisht këtë marrëveshje, duke theksuar se kjo është në të mirë të Kosovës dhe Serbisë, në të mirë të evropianizimit të rajonit dhe mbi të gjitha në të mirë të vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit dhe hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›