E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Bashkepunim mes bashkive per interesat e qytetarit

Bashkëpunim mes bashkive, për interesat e qytetarit.

Ky ka qenë mesazhi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, dhënë sot në konferencën e Krerëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, aktivitet i organizuar nga Këshilli i Europës dhe Kongresi Europian i Autoriteteve Lokale.

“Ne jemi të bindur se mandati ynë dhe angazhimi i administratave tona do të jetë një tjetër kontribut thelbësor, për shërbime më të mira për qytetarët, për konsolidimin e shtetit ligjor, për konsolidimin e demokracisë në nivel lokal e rajonal, për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje e në veprimtarinë e asambleve e administratave vendore, për integrimin europian dhe euroatlantik të Shqipërisë.

Ne po përpiqemi të kthejmë vëmendjen e administratave tona ndaj qytetarëve e interesave të tyre.

Ne jemi të bindur dhe më se të qartë, e të vendosur që t’i mbajmë administratat tona sa më larg influencave e vorbullave politike, jo vetëm kaq por të kemi sintoni maksimale me të gjithë aktorët politikë në këshillat tanë dhe më gjerë, në faktorë e promotorë të zhvillimit, të konsolidimit të shërbimeve, të uljes së barrës fiskale e nxitjes së biznesit e sipërmarrjes private, përmirësimit të infrastrukturës, shkollave, çerdheve, mënyrës e nivelit të tyre të jetesës”, iu drejtua ai organizatorëve.

Duke shtuar se “në këto objektiva madhorë, në ushtrimin e kësaj përgjegjësie kaq të madhe në Tiranë, Korçë, në Durrës e Shkodër, në Kukës e Sarandë e kudo në Shqipëri, siç kemi për detyrë të kthejmë në energji pozitive bashkëpunimin ndërmjet nesh, po kaq primordiale është edhe bashkëpunimi e koordinimi i përpjekjeve tona, për më shumë autoritet fiskal e pushtet administrativ, për pasuri më të konsoliduara lokale, për shpejtësi më të madhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve, ne do të kërkojmë dhe mirëpresim deklarimet e qarta të qeverisë shqiptare, për bashkëpunim real, intensiv e efektiv me të zgjedhurit vendorë, të painfluencuar nga ngjyra politike e përkatësia gjinore, gjendja ekonomike e pozicionimi territorial”.

“E që të jemi në lartësinë e kësaj imperative, pa dyshim që në cilësinë tonë si kryetarë bashkish, duhet të jemi të bashkuar, të kemi një persistencë e artikulacion maksimalisht të performuar të kërkesave tona, që mund të na i sigurojë një shoqatë që funksionon mirë dhe si një e tërë.

Si ish-ministër i Jashtëm, mund të them se në shtyllat që ndërtuan Europën e Bashkuar apo familjen e madhe të Këshillit të Europës, krahas respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut, krahas lirisë ekonomike e tregut të lirë do të rendisja pa frikë, bashkëpunimin si një çelës të artë të kohezionit social, kombëtar e europian.

Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, në një nga sekretet e suksesit do të rendisja pa frikë, ekzigjencën time, për të bashkëpunuar me këdo në të mirë të qytetit.

Shkëlqesinjtë ambasadorë që janë këtu, miqtë tanë kudo në botë, që dëshirojnë prosperitetin e integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në strukturat europiane, është rasti t’i sigurojmë që bashkitë tona do të jenë promotore të zhvillimit të qëndrueshëm lokal, do të kontribuojnë për qeverisjen e mirë e transparente, do të përmirësojnë e konsolidojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimarrje, për të cilat, ju kontribuoni kaq shumë me prezencën, mesazhet dhe programet tuaja, e jo vetëm kaq, por ne do të demonstrojmë largpamësi, dinjitet e solemnitet, me një kohezion e mirëkuptim më të madh mes nesh, me një përfaqësim më të madh, në nivel rajonal, kombëtar e ndërkombëtar”, përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›