E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Bashkia e Tiranes nuk do jete me pjese e konflikteve politike

Bashkia e Tiranës nuk do të jetë pjesë e konflikteve, por e hapur për të dëgjuar dhe plotësuar nevojat dhe interesat e qytetarëve të kryeqytetit.

Një fakt të tillë, kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e ka theksuar gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, ku ka shpalosur pikat kryesore të programit me të cilin ai do të qeverisë bashkinë më të madhe të vendit.

“Eshtë shumë e rëndësishme që të ndihet fryma e re në bashkinë e Tiranës. Fryma e re e cila ka në thelb interesin e qytetarëve dhe asgjë tjetër.

Nxjerrja totale e bashkisë jashtë konfliktit politik është prioriteti im i parë dhe absolut dhe kjo nuk arrihet vetëm me fjalime por në radhë të parë duke e fokusuar të gjithë energjinë e Bashkisë në prioritetet kryesore të kryeqytetit, prioritete të cilat unë i kam shpalosur gjatë fushatës dhe që praktikisht janë konfirmuar nga mbështetja qytetare për platformën që unë shpalosa, që nga punësimi, zhvillimi ekonomik, cilësia e jetës në kryeqytet e deri te qeverisja transparente.

Prandaj prioritare në këto 100 ditë të para është riorganizimi strukturor i Bashkisë së Tiranës për t’ju përgjigjur nevojës për një dinamizim ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës, pra të strukturave që do të lehtësojnë ndërveprimin e Bashkisë me konsumatorin, me biznesin, me grupet e interesit, me qytetarët.

Prioritare për mua është nisja me shpejtësi e përgatitjeve për planin e ri urbanistik të Tiranës, ndërhyrjet urbane të domosdoshme siç është trafiku në qendër të kryeqytetit dhe kudo tjetër e po kështu dhe ngritja e strukturave të posaçme të mbrojtjes së konsumatorit, një prioritet i shpallur tashmë e për të cilin po hidhen hapa konkret me të cilat opinioni do të njihet edhe në javët e ardhshme”, deklaroi ai.

Duke shtuar më tej në lidhje me administratën e Bashkisë, se “përqasja që do të karakterizojë veprimtarinë e Bashkisë së Tiranës do të ndihet edhe te administrata e saj”.

“Kjo zyrë, zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, kjo Bashki është e hapur për çdo kontribut, nga çdo forcë politike sepse qyteti nuk i përket një partie politike, as edhe një koalicioni, qoftë ky koalicioni fitues në zgjedhjet e 8 majit, i përket të gjitha forcave politike, siç i përket të gjithë qytetarëve të Tiranës”, shtoi ai.

Më tej, kryebashkiaku Basha tha në lidhje me zhvillimin e planit të ri urbanistik të Tiranës, se ai paraqet një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është premtuar për një kohë shumë të gjatë dhe nuk është bërë, duke lënë pasoja të panegociueshme në qytet.

“Natyrisht ne do të përpiqemi që me planin e ri t’i minimizojmë pasojat”, theksoi ai.

Kurse në lidhje me çështjen e Piramidës, ai rikujtoi se ka thënë gjatë fushatës se nuk është nevojshmërisht për shembjen e Piramidës, por domosdoshmërisht për ndërtimin e një parlamenti të ri, i cili i bën nder kryeqytetit dhe qytetit të Tiranës.

“Diskutimi ka lëvizur që nga ai moment sepse parlamenti ka kalur ligjin dhe Bashkia si çdo institucion i këtij vendi i përmbahet shtetit ligjor.

Por ajo që mund t’ju them është përsëri, se ne do të shërbejmë me devotshmëri duke dëgjuar zërin e çdo qytetari e në këtë kuadër çdo cështje që ka të bëjë me interesin qytetar, me interesin e prekshëm të banorëve të Tiranës dhe jo me luftën politike, qoftë kjo e hapur apo e maskuar, është në krye të axhendës së Bashkisë së Tiranës dhe në axhendën time si kryebashkiak”, përfundoi Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›