Basha: Do i përgjigjemi dhëmb për dhëmb Ramës, të shtunën do të na ketë përballë
Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat pas bojkotit të seancës së Kuvendit gjatë kohës që Kryeministri Edi Rama prezantonte programin qeverisës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi si një akt të paprecedent seancën e djeshme të parlamentit. Duke përdorur tone të forta, Basha tha se kryesocialisti nga foltorja e parlamentit ku do të prezantonte programin me të cilin koalicioni ka ardhur në pushtet, në mënyrë të paprecedent përdori një gjuhë urrejtje dhe mllefi ndaj opozitës shqiptare. Sipas tij, ky nuk është një akt i izoluar por vjen në vazhdimësi pas vendimeve të djeshme për mohimin e transparencës së programit. Rilindja e mendësisë së vjetër e gjuhës së urrejtjes dhe mllefit, nuk ishte ajo që qytetarët prisnin sot, po ishte e vetmja alibi e kryesocialistit për ti ikur asaj që sot (dje) priste gjithë Shqipëria, programin dhe shpjegimin se si do i realizonte premtimet e dhëna. Edi Rama dështoi tërësisht në paraqitjen e programit qeverisës. Kjo gjuhë në sallën e Kuvendit nuk do të tolerohet më nga PD dhe as nga aleatët e saj. Të shtunën grupi parlamentar i PD do të zbërthejë një nga një dëmtimet spektakolare të Kryeministrit Rama. Pasnesër (të shtunën) do të na ketë përballë për ti kujtuar se ka përgjegjësi të përgjigjet për premtimet e bëra, tha Basha. Kryedemokrati tha se nga dita e sotme nga ana e Partisë Demokratike do ketë përgjigje dhëmbë për dhëmbë, në Parlament, me deklarata dhe në rrugë.