E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Ndryshoni sërish rregulloren e Kuvendit, duhet konsensus PS-PD

Në prag të mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asociimit kërkohet pavarësi e gjyqësorit dhe hetim i plotë i ngjarjeve të 21 janarit

Situata politike në Shqipëri, roli i parlamentit, pavarësia e gjyqësorit, reforma në administratë dhe çështjet fiskale e ekonomike, do të diskutohen në takimin e dytë të Stabilizim-Asociimit midis delegacionit të Shqipërisë, të kryesuar nga Majlinda Bregu dhe përfaqësisë së BE-së, që udhëhiqet nga drejtori i zgjerimit Pierr Mirel. Sipas dokumentit konfidencial, të siguruar nga “Top Channel”, qëndrimi i Brukselit për pjesën politike do të fokusohet në krizën midis partive kryesore, e veçanërisht në ngjarjet e 21 janarit, ku kërkohet hetim i plotë dhe i pavarur nga sistemi gjyqësor. “Delegacioni i Bashkimit Europian do të shprehë shqetësim të thellë për situatën aktuale politike, duke përfshirë edhe bllokimin e gjatë e të qëndrueshëm politik dhe mungesën e dialogut konstruktiv. Do të shpreh keqardhje për dhunën dhe zhvillimet dramatike të datës 21 janar dhe do të theksoj se këto ngjarje dhe përshkallëzimi i tensioneve që pasuan nuk janë në përpjestim të drejtë me ato të një vendi aspirant, për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ato rrezikojnë të vonojnë perspektivën europiane të vendit”, thuhet në dokumentin konfidencial. Përveç kësaj, delegacioni i Bashkimit Europian do të theksojë se është e domosdoshme që ngjarjet e 21 janarit të hetohen plotësisht nga autoriteti i duhur i drejtësisë së shtetit. “Hetimi duhet të udhëhiqet siç duhet nga prokuroria dhe të ndëshkohen të gjithë ata që do të rezultojnë fajtorë. Autoriteti gjyqësor duhet të jetë në gjendje të punojë i pavarur, pa pengesa dhe pa ndërhyrje të panevojshme. Duhet shmangur pengimi në mënyrë direkte apo indirekte, si dhe skualifikimi i institucioneve shtetërore. Sigurimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore është një ndër prioritetet kryesore të opinionit”, vijon dokumenti i Bashkimit Europian. Dokumenti përsërit qëndrimin e BE-së se qeveria dhe opozita ndajnë përgjegjësi për kapërcimin e krizës politike dhe për zbutjen e situatës konfrontuese. “Delegacioni i Bashkimit Europian do të bëjë thirrje për ndryshimin e tonit politik. Retorika acaruese nuk i kontribuon vendosjes së qetësisë dhe shmangies së rrezikut për dhunë të mëtejshme e polarizim të shoqërisë shqiptare”, theksohet në dokument. Aty shprehet edhe shqetësimi për mënyrën e funksionimit të parlamentit, duke kërkuar madje edhe rishikim të rregullores. “Delegacioni i Bashkimit Europian do të theksojë se funksionimi i duhur i parlamentit përfshin edhe përmirësimin e performancës së tij kontrolluese dhe funksionet mbikëqyrëse. Do të nënvizohet nevoja për të marrë masa për të garantuar zbatim të plotë dhe efikas të rregullores e gjithashtu edhe rishikim të saj, bazuar në konsensusin ndërpartiak, duke përfshirë këtu edhe sa i takon përbërjes dhe mandatit të komisioneve hetimore parlamentare”, insistohet në dokumentin konfidencial. Pjesa e këtij qëndrimi do të jetë edhe ajo mbi median, ku do të theksohet nevoja e mendimit të dispozitave mbi shpifjen në Kodin Penal dhe do t’i kërkohet palës shqiptare të zbatojë siç duhet ligjin aktual për qasje në informacion. Një gjë e tillë argumentohet se do të inkurajonte Shqipërinë, për të promovuar në mënyrë aktive pluralizmin e ideve dhe lirinë e plotë të medias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›