E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Fitorja legjitime, do të mbaj çdo premtim

TIRANE- Fituesi i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili rrëzoi gjatë paradites kërkesën e PS-së për të shpallur të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, nga Selia Blu deklaroi se fitorja e tij ishte e ligjshme, pasi qytetarët besuan në projektin e ‘Aleancës për Qytetarin' për Tiranën.

“Është një gëzim i ligjshëm, sepse kemi korrur një fitore të ligjshme, një fitore të ndershme, një fitore që është shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve të Tiranës, që besuan në shumicë, në programin tonë, në projektin tonë për një Tiranë europiane e mbi të gjitha në seriozitetin tonë, për ta vënë në jetë këtë sipërmarrje të madhe, që Tirana jonë e dashur ka kohë që e meriton dhe ka kohë që e pret!”, - deklaroi Basha.

Duke falenderuar qytetarët që e votuan, kreu i ri i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se mbështetja ishte e madhe pasi kryeqyteti është i të gjithëve, ndërkohë që vlerësoi se ishte pikërisht dashuria për Tiranën që arriti ta nxirrte nga politika konfliktuale.

“Qytetarët e Tiranës që besuan në shumicë, në programin e tij, në projektin për Tiranën evropiane, në seriozitetin për ta vënë në jetë këtë sipermarrje të madhe, që Tirana ka kohë që e pret. Tirana jonë na bëri ne, që ne ta nxjerrim nga udhëkryqy hallëmadh ku një lloj politike konfliktuale e kishte pushtuar prej kohësh”- nënvizoi Basha.

Ndërkohë fituesi i Bashkisë së Tiranës u shpreh se si asnjëherë tjetër qytetarët nuk kanë pasur pushtet. Sipas Bashës zëri i qytetarëve u dëgjua dhe kjo do të vijojë edhe në Bashki gjatë gjithë mandatit tij.

“Qytetarët kanë pasur pushtet si asnjëherë më parë gjatë kësaj fushate dhe do vazhdojnë ta kenë atë edhe në Bashkinë e Tiranës. Zëri i çdo qytetari u dëgjua në procesin zgjedhor dhe zëri i çdo qytetari do të dëgjohet edhe në Bashki”,- tha Basha.

Duke premtuar se do të mbajë premtimet e bërë gjatë fushatës, Basha premtoi se do të punojë dhe realizojë cdo premtim në të mirë të qytetit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim partiak.

“Unë do të angazhohem me mish e me shpirt për t’i mbajtur premtimet e mia dhe do të bëj gjithçka mundem për ta bërë qytetin tonë më të mirë, jo vetëm për mbështetësit e mi, po për të gjithë bashkëqytetarët e mi. Tani puna fillon. “Ju jeni të parët. Tirana është e para” nuk është më vetëm një slogan dhe e ardhmja e qytetit tonë ka nisur marshin e saj”,- premtoi fituesi i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Fjala e plotë e fituesit të Bashkisë të Tiranës Rama: Drejtësia kapitulloi, opozita aksion popullor VIDEO: Basha: Fitorja legjitime, do të mbaj çdo premtim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›