Basha: I vendosur të mos derdhet më asfalt elektoral

Me një investim prej 24,3 milionë lekësh, një tjetër rrugë ka nisur të ndërtohet në Bashkinë e Tiranës. Ky segment i ri rrugor është zgjatimi i rrugës "Robert Shvarc", deri në rrugën "Skënder Luarasi". Ndërtimi i këtij segmenti, në Njësinë Bashkiake Nr.5, do të ndihmojë në shpërndarjen e fluksit që parashikohet në rritje, nga përfundimi i Unazës së Re të Tiranës.
Sipas kreut të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha nuk do të derdhet më asfalt elektoral që nuk plotëson kriteret minimale. "Jam i kënaqur me parametrat modernë dhe evropianë, me të cilat po investojmë në këtë rrugë, po kështu jam i përkushtuar që kurrë më në Bashkinë e Tiranës të mos derdhet asfalt elektoral. Mirëmbajtja sezonale është një gjë dhe natyrisht nuk mund të riparojmë gjithë qytetin brenda një viti, as brenda dy viteve por investime të nisura me projekte elektorale nuk ka dhe nuk do të ketë më në Bashkinë e Tiranës. Është më mirë që paratë e qytetarëve, taksapaguesve, të Tiranës, të Shqipërisë, në ato raste kur bashkëpunojmë me partnerët evropianë, të evropianëve, t`i investojmë në mënyrë të zgjuar dhe të qëndrueshme, sesa t`i rikthehemi rrugëve, siç po i rikthehemisot rrugës "Robert Shvarc", ku në sipërfaqe asfalti duket mirë, por poshtë kushtet janë të papranueshme për çdo qendër banimi, aq më pak për kryeqytetin" theksoi Basha.
Sipas tij kjo rrugë u shërben një komuniteti prej 3000 banorëve të kësaj zone.por është edhe një rrrugë e rëndësishme që lidh dy zona të një lagjeje tejet të populluar, të një lagjeje të re, me pallate të shumta por me infrastrukturë të pakët.
“Nga kjo pikëpamje, është një zhvillim i cili do të sjellë përmirësim të cilësisë së jetës së banorëve të kësaj lagjeje, por edhe të të gjithë njësisë bashkiake nr.5, pasi kjo rrugë e re e drejtimit veri - jug, do të lidhë arteriet kryesore të njësisë bashkiake nr.5, të cilat janë po kështu dhe arterie kryesore të qytetit, sepse kjo është edhe njësia bashkiake më e madhe, në numër banorësh” shtoi ai.
Rruga do të ketë gjerësi totale 9 metra, trotuarë për kalimin e këmbësorëve me gjerësi nga 1.5 metra, ndriçim dhe gjelbërim, (do të mbillen 90 fidanë pemë). Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të ujësjellësit, kanalizimeve të ujrave të bardha e të zeza, spostimi i linjave elektrike dhe shtyllave të tensionit, punime linja rezervë për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore dhe zëvendësimin e mureve rrethuese të shtëpive me kangjella.