Basha: Inceneratorët dhe “Mali i Tiranës” janë dy faqe të së njëjtës monedhë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuar edhe njëherë projektin për ndërtimin e kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit, që e quan “Mali i Tiranës”. Në një postim në Facebook, Basha lidh aferën e inceneratorëve me ndërtimin kullës, duke i konsideruar si “dy faqe të së njëjtës monedhë”.
Sipas Bashës, paratë e marra përmes skemës së inceneratorëve, po pastrohen përmes ndërtimit të kullave.
“Afera korruptive e Inceneratorëve, për zbardhjen e të cilës Partia Demokratike ka bërë një betejë të gjatë publike, tashmë e faktuar si e drejtë nga arrestimet dhe sekuestrimet e SPAK, dhe pastrimi i parave përmes ndërtimit të kullave me bilance të padeklaruara dhe të falsifikuara, siç është rasti i fundit në zemër të Tiranës i kallëzuar në SPAK nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD, janë dy faqe të së njëjtës monedhë. Me aferën e inceneratorëve janë grabitur miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Këto para të korrupsionit qeveritar në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe krimin ekonomik më pas pastrohen nëpërmjet skemave të ndërtimit të kullave luksoze në mes të Tiranës”, shkruan Basha.
Duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion, Basha thekson edhe njëherë “domosdoshmërinë” për vetingun e politikanëve.
“Korrupsioni i’u vjedh qytetarëve të ardhmen, varfëron familjet shqiptare, vret konkurrencën e ndershme, pengon rritjen ekonomike, cenon demokracinë dhe besimin tek institucionet. Raportet ndërkombëtare evidentojnë qartë se korrupsioni në qeverinë Rama ka arritur nivelin e kapjes së shtetit, ku qeveritarët dhe klientela politike e përdorin shtetin për interesat e tyre private në dëm të qytetarëve. Lufta pa kompromis kundër korrupsionit është emergjencë kombëtare, prandaj Partia Demokratike është e vendosur në mbështetjen tonë ndaj SPAK dhe e përkushtuar për miratimin dhe zbatimin e vetting-ut të politikanëve, sepse vetëm një politikë e pastër mund të sigurojë një ekonomi të fortë me mirëqenie dhe siguri për familjet shqiptare”, përfundon Basha postimin e tij.
Anëtarja e PD-së në këshillin Bashkiak të Tiranës, Enriketa Papa ka dorëzuar një padi në SPAK ndaj projektit për ndërtimin e kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit.
/rtsh.al/