E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Jam i vendosur te pres me durim rezultatin te numerohet cdo vote

“Ndonëse jam fitues me 77 vota, jam i vendosur të pres me durim, derisa procesi i numërimit të votave të kontestuara të përfundojë, në mënyrë korrekte siç ka qenë edhe deri tani”.

Me këto fjalë e nisi komunikimin e tij me median, pak minuta më parë, kandidati demokrat për Tiranën, Lulzim Basha.

Sipas tij, është fakt se çdo votë që numërohet shqiptarët po e shohin drejtpërdrejt në ekran, e megjithatë, sërish kundërshtari i tij pohon se ka manipulime, pa treguar asnjë provë.

“Eshtë e rëndësishme të themi se në shqyrtimin që po i bëhet numërimit të fletëve të kontestuara, ai ka 4 vota më shumë se mua.

Nuk është kanibalizëm të futësh votat në një proces transparent, por t’i përjashtosh ato.

A duhet të numërohet çdo votë? Unë besoj se po, ndërsa kundërshtari thotë që jo.

Unë mendoj se e drejta është në anën time”, tha mes të tjerash kandidati Basha.

Duke shtuar se rivali i tij ka nisur në fakt një rrugë për të përbaltur procesin e zgjedhjeve.

“Unë mendoj se çdo votë e qytetarit duhet lexuar dhe marrë në konsideratë, si edhe të respektohen institucionet kushtetuese.

Demokracia funksionon më lehtë kur rezultati është i thellë, por ajo tregon se funksionon gjithashtu, edhe kur ai është i ngushtë.

Dhe unë kam besim se ne mund t’i tregojmë botës mbarë që demokracia jonë është funksionale.

Kam besim gjithashtu tek qytetarët dhe mendoj se vota e tyre duhet të respektohet nga të gjitha palët, prandaj mendoj se çdo votë duhet të numërohet dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet”, përfundoi kandidati Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›