Basha-Kadaresë: Nuk do të tërhiqem nga gara

Kandidati demokrat për Tiranën, Lulzim Basha i është përgjigjur negativisht kërkesës së Kadaresë për tërheqje nga gara për Tiranën. Në një letër drejtuar shkrimtarit të njohur Kadare, Basha thekson se çdo tërheqje në këto kushte, jo vetëm do të ishte një akt antidemokratik, por nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës, sepse për pasojë, edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar.
Në letrën e tij Basha thekson se “qytetarët kanë vendosur se kush e ka fituar këtë garë dhe se kush do të vijojë të administrojë qytetin”. “Unë kam vendosur të respektoj të gjitha procedurat normative që parashikon procesi i numërimit të votës në respekt të shtetit ligjor, duke frymëzuar një qëndrim paqësor qytetar dhe në shërbim të stabilitetit e paqes sociale. E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndaj sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi, ekzistencial”, thotë Basha.
Më tej kandidati i mazhorancës thekson se nuk është ai që vendos nëse do të bëhet apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë. “Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë, që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë. Unë besoj se gara dhe demokracia i vlejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ndërkohë që dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit, sesa një garë e munguar. Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri. Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë”, thotë ai.
Basha shton se sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira, sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje. “Unë nuk mendoj se instalimi i një pushteti që do mbante peng kryeqytetin në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve është më europian dhe demokratik sesa rotacioni politik, që është baza e çdo demokracie. Çdo tërheqje e imja në këto kushte, jo vetëm do të ishte një akt antidemokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës, sepse për pasojë, edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar”, thotë ai.
Kandidati i mazhorancës shton se është I bindur se “rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje, apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve”. “Unë respektoj vullnetin e të gjithë atyre që kanë votuar pro meje, që kanë votuar për një ndryshim në Tiranë, si edhe ata që kanë votuar kundër, duke lexuar dhe respektuar çdo votë të tyre, respektoj ata që po presin me qytetari, pa dhunë, pa presion, si qytetarë të vërtetë europianë. Jam i gatshëm të takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim për Bashkinë e Tiranës, për një pakt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t`i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e qytetarëve të shprehur me vote”, thotë Basha