PS proteston para KQZ-së, Dade: Berisha është antishqiptar

Qindra mbështetës të Partisë Socialiste janë mbledhur sërish sot para Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të kundërshtuar numërimin e fletëve të kontestuara për bashkinë e Tiranës.
Në fjalimin e saj para mbështetësve të PS-së, deputetja Arta Dade ka theksuar se kryeministri Sali Berisha është një politikan antishqiptar që nuk kërkon integrimin e vendit dhe as më të mirën për qytetarët e vendit të tij.
“Saliu është antishqiptar por është dhe antieuropian. Europa kërkon votën e lirë dhe antikorrupsionin, ndaj dhe Saliu nuk e kërkon Europën”, theksoi Dade.
Më tej deputetja Dade u ka bërë thirrje drejtuesve të policisë të mos dhunojnë protestuesit port ë zbatojnë ligjin.
“Kam një mesazh për policinë, jo për policët e thjeshtë sepse ata janë me ne. Kam një mesazh për shefat e policisë, të rrinë larg nga protestuesit, ata nuk merren dot me ne me deputetët, ndaj merren më protestuesit”, tha Dade.
Ndërsa deputetja Mimi Kodheli theksoi se Shqipëria duhet të marrë kthesën historike për të mos mbetur më peng i së shkuarës.
“Këta mund të ndryshojnë ligjet, por dënimin e Zotit nuk mund të ndryshojmë. Zoti është me ne. Shqipëria do të filloi nga ky moment të marrë kthesën historike, për të cilën të parët tanë luftuar me pushkë dhe me penë. Populli shqiptarë është një, kush guxon ta përçajë do të ketë dënimin e shqiptarëve dhe të Zotit”, tha Kodheli.
Më tej Kodheli u shpreh se ata që kanë hedhur votën në kutinë e gabuar, nuk kanë dashur që ajo të numërohej.