Basha: Megjithëse 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë, PD doli më e fortë dhe më e bashkuar!

PD hyri në betejën e 25 prillit me programin më të mirë të hartuar në këto 30 vite, tha kreu i saj Lulzim Basha në mbledhjen e Kuvedit Kombëtar që po mbahet në Tiranë.
Ai tha se PD hyri në këtë betejë pa asnjë pushtet, por vetëm nga vullneti i lirë i shqiptarëve, përballë një qeverie që e cilësoi fatkeqësi kombëtare. “Megjithëse 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë, PD doli më e fortë dhe më e bashkuar” tha zoti Basha.
“Të vetëdijshëm që shqiptarët meritojnë një politikë që punon për ta dhe jo për vete, ne qëndruam pranë njerëzve në nevojë, pranë të papunëve, pranë familjeve shqiptare, pranë studentëve dhe të rinjve shqiptarë, pranë sipërmarrësve të ndershëm dhe fermerëve, pranë gazetarëve që luftojnë përditë për të vërtetën dhe artistëve dhe intelektualëve që luftojnë për gjallimin e jetës së kombit” tha zoti Basha.
“Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me regjimin: Te demokracia që shkatërrohet, tek zgjedhjet që vidhen, tek e drejta që shkelet.
Dhe pa u fituar kjo luftë, për çdo shqiptar, të majtë apo të djathtë, atëhere çdo zgjedhje e lirë në jetën e secilit prej tyre, çdo përpjekje e gjithsecilit prej tyre për punësim, për arsimim për të patur një jetë më të mirë, do të jetë e pamundur,” tha Basha.
“Jemi ne që luftuam dhe luftojmë kundër kriminalizimit të politikës, dhe sfidës që krimi i organizuar po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë me bekimin dhe ortakërinë e Edi Ramës, sepse ne nuk mund të pranojmë kurrë që institucionet publike të përqafojnë një model, që askush nuk do ta pranonte për familjen apo fëmijët e tij” tha lideri demokrat në fjalën e tij.