E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: “Mirënjohje përjetë, bujarisë dhe mikpritjes së banorëve autoktonë tiranas!”

08-06-2013 / Gazeta 55

Promovohet libri ”Dibranë dhe tiranas, njëqind vjet së bashku”, i dr. Faruk Borova

Kryebashkiaku Lulzim Basha, në ceremoninë e promovimit të librit “Dibranë dhe tiranas, njëqind vjet së bashku”, të dr. Faruk Borova ka shprehur mirënjohjen e tij për mikpritjen që tiranasit i bënë komunitetit dibran, i detyruar të shpërngulet, për shkak të spastrimit etnik por edhe mijëra qytetarëve të cilët pas viteve ‘90 zgjodhën Tiranën për të ndërtuar një jetë më të mirë.
“Hapja e dyerve të shtëpive, mundësimi i vendosjes së banorëve që vinin pas një terrori dhe spastrimi etnik ishte një sinjal i qartë se niveli i qytetërimit, botëkuptimi  i qytetarëve të Tiranës  ishte aq i avancuar, sa që të krijonte gjenezën e zmadhimit me shpejtësi historike të qytetit dhe kthimit të tij në pikën më influente të kombit shqiptar që është sot Tirana metropolitane, kryeqyteti i Tiranës.
Sot, pas 100 vitesh gjërat kanë ndryshuar. Është shumë e vështirë të presh me thikë tiranasit nga dibranët, pikërisht për shkak të “shkrirjeve” familjare, krushqive dhe e njëjta vlen edhe për shumë e shumë komunitete të tjera që vijnë nga Vermoshi në Konispol, nga Mollasi në Kepin e Rodonit dhe i thonë Tiranës “shtëpia” jonë dhe është shtëpia e çdokujt që vendos ta quajë të tillë”- u shpreh z. Basha.
Ndërtimi dhe rindërtimi i infrastrukturës rrugore, sipas zotit Basha, ka sjellë dhe me afër njeri tjetrit shqiptarët kudo ku jetojnë, brenda apo jashtë kufijëve administrativë. Një ndër to është dhe rruga e Arbrit e cila do të përfundojë në 24 muajt e ardhshëm dhe do të shkurtojë ndjeshëm distancën fizike mes Tiranës dhe Dibrës së Madhe. Brenda pak ditësh, – u shpreh Kryebashkiaku, përfundon dhe rruga e “Dibrës”, në Tiranë.
 “Brenda pak ditësh, unë do të kem kënaqësinë e veçantë si kryetar i Bashkisë por edhe si banor i hershëm i zonës, të jem i pranishëm në rikualifikimin urban të rrugës së “Dibrës” e cila po përfundon me parametrat më modernë të mundshëm, duke i dhënë komunitetit autokton dhe të vjetër të kësaj zone rrugën që meritonin dhe që nuk e kanë pasur prej shumë kohësh. Kjo kënaqësi do ishte e cunguar nëse unë nuk do të ndaja me ata banorë, me të gjithë ju sot këtu, me kryetarin e komunës së Dibrës dhe me shumë e shumë bashkëqytetarë nga Tirana, Dibra, Mati, Shkupi, Tetova e anembanë Shqipëria lajmin e gëzuar se ky në fakt është vetëm përfundimi i një projekti madhor i cili është premtuar për t’u realizuar në 24 muajt e ardhshëm nga Kryeministri Sali Berisha dhe kjo është rruga e Arbrit, rrugë e cila do të përthyejë në mënyrë të paimagjinueshme edhe distancën fizike midis Tiranës e Dibrës, pasi distanca shpirtërore ka avulluar prej kohësh. Me këtë rrugë ne do të bëjmë të mundur që nga qendra e Dibrës së Madhe, e sheshit “Skënderbej”, me një shpejtësi mesatare prej 80 km në orë, ne të gjendemi pranë shtëpive të njeri tjetrit, në më pak se 60 minuta” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›