Basha: Në mes të majit, fituesi i projektit për bulevardin

Basha, priti në një takim ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon
Studioja fituese e projektit për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës do të shpallet në mes të muajit maj. Gjithçka e bëri me dije dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë takimit me ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon. Në këtë takim, zoti Basha bëri një prezantim të projekteve të tij për zhvillimin e Tiranës, ku zhvillimi ekonomik, punësimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës janë fokusi kryesor. Dy kompani të njohura me seli në Britaninë e madhe, DAR dhe Grimshaw/, vazhdojnë të jenë ende në konkurrim dhe pritet që së bashku me miratimin nga grupi strategjik të draftit të parë të Planit Rregullator, të përzgjidhet edhe fituesi i këtij konkursi brenda muajit maj, tha Basha. Kryetari i Bashkisë bëri të ditur synimin për të dyfishuar në katër vite hapësirat e gjelbra në kryeqytet. Brenda këtij viti pritet të mbillen të paktën 10 mijë pemë të reja, si dhe të ndërtohen disa lulishte në lagjet e Tiranës, disa prej të cilave kanë nisur tashmë. Ambasadori Britanik, Nicholas Cannon, shprehu mbështetjen e tij për Bashkinë e Tiranës, duke vlerësuar prioritetet e zotit Basha. Ai u shpreh tepër entuziast nga qyteti i Tiranës, një qytet të gjallë, siç e cilësoi ai. Zoti Basha dhe zoti Cannon diskutuan edhe për vendosjen e një bashkëpunimi mes Tiranës dhe Londrës, duke vlerësuar se eksperiencat e kryeqytetit britanik janë të vlefshme për realizimin e projekteve dhe vizionit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Projektet strategjike
Dy projekte të tjera strategjike janë edhe ndërtimi i terminalit dhe i dy linjave të tramit, për të cilat ka një interes të madh. Gjatë takimit të djeshëm, Basha tha se biznesi britanik është i mirëpritur të bëhet pjesë e projekteve të zhvillimit të Tiranës, ndërsa garantoi se bërja e Tiranës një qytet atraktiv për investitorët, është prioriteti i tij.