Parkimi nëntokësor: Ja skema e re e qarkullimit

Sheshi "Italia" ku do te ndertohet parkimi nentokesor
TIRANE- Bashkia e Tiranës njofton qytetarët se me nisjen e punimeve për parkimin nëntokësor tek sheshi Italia do të aplikohet një skemë e re e qarkullimit të automjeteve.
Gjatë një komunikimi me mediat drejtoresha e Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nerejda Hoxha tha sot se sheshi Italia do të jetë I bllokuar përgjatë gjithë kohës së punimeve.
Mjetet do të kalojnë mbrapa stadiumit Qemal Stafa, në rrugën Dervish Hima, për tu lidhur pastaj me rrugën e Elbasanit. Rruga mbrapa stadiumit Qemal Stafa dhe Dervish Hima do të jenë me dy sense dhe me ndalim qëndrimi 24 orë. - tha Hoxha.
Ajo tha se, për të lehtësuar rrjedhjen e trafikut, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë riparimin e rrugëve në këtë zonë si dhe do të shpërndajmë njoftimet, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake për të gjithë rezidentët e zonës si edhe nëpër subjektet që kryejnë aktivitet në këtë zonë, ku të njoftohen për vënien në zbatim të skemës së re.
Bashkia ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës për skemën e re të qarkullimit që do të nisë të zbatohet në Tiranë.