E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Në vjeshtë pritet të hiqen vizat me vendet e BE-së

30/08/2010 Ministri i Brendshëm në forumin e Salsburgut

Gjatë forumit të 10-të të Salzburgut, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mori garanci nga homologët e tij evropianë se vendimi për propozimin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave do të merret në një nga takimet e kësaj vjeshte. “Kam pasur bisedime dypalëshe me disa prej kolegëve të Bashkimit Evropian, të cilët më kanë siguruar se presin finalizimin e hapave teknikë nga Komisioni Evropian dhe që shpresojnë që në mbledhjet e tyre të ardhshme në tetor apo nëntor, dhe këto mbledhje i ndajnë tre javë nga njëra- tjetra, të finalizojnë vendimmarrjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”, është shprehur Basha. Ndërkohë, ministri Basha tha se iniciativa e Shqipërisë për realizimin e Shengenit ballkanik ka gjetur mbështetjen e të gjithë ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit. Produkti final i kësaj nisme do të jetë lëvizja e lirë e çdo qytetari të vendeve të Ballkanit Perëndimor vetëm në disponim të një karte identiteti apo të një letërnjoftimi në të pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnjë Hercegovinë. Në forumin e 10-të të Salzburgut, ministrja e Brendshme austriake, Maria Fekter, vlerësoi se Shqipëria mund të merret si shembull nga vendet e tjera të rajonit për përdorimin e teknologjisë së informacionit në menaxhimin e integruar të kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›