E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes me shpërndarjen e letrave me vlerë

30/08/2010 Deklarata e Konfindustrisë

Konfindustria ka shprehur dje, përmes Administratorit të Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, shqetësimin se përqendrimi në mënyrë pothuajse të plotë të tregut të letrave me vlerë të qeverisë, vetëm në bankat e nivelit të dytë, ka rezultuar me kosto të lartë për buxhetin e shtetit dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi. Sipas Konfindustrisë, kjo është barrë e rëndë për financat publike, që shndërrohet nga ana tjetër në fitime të paarsyetuara për sistemin bankar duke mosprodhuar efekt pozitiv për ekonominë reale. “Konfindustria merr shkak për sa më sipër, nga emetimi i eurobondit të qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm, në të cilën u morën nga bankat vendore të nivelit të dytë, 25 milionë euro me interes 6.1%, pikërisht në kohën kur niveli mesatar i depozitave të qytetarëve në bankat e nivelit të dytë është mesatarisht në 3%”, thuhet në deklaratën e Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë. Për Buxhukun, kjo gjë do të thotë, që bankat huadhënëse ndaj qeverisë, arrijnë të fitojnë drejtpërdrejt 100% fitim nga interesat. “Përfundim i njëjtë do të ishte edhe nëse do të vlerësonim termat e huamarrjes shtetërore me “lekë”. Të shtrira në hapësirën kohore të viteve, në të cilat qeverisë shqiptare të të gjithë ngjyrave politike kanë ndjekur të njëjtën mënyrë huamarrje del, se janë me dhjetëra e dhjetëra milionë euro, që janë paguar në mënyrë të paarsyeshme në dëm të buxhetit të shtetit dhe në përfitim të pastër të bankave të nivelit të dytë”, - thotë ai. Buxhuku nënvizon se, gjithashtu një nga shkaqet kryesore të termave të larta të interesit të kredive dhe termave të tjerë të pafavorshme krahësimisht me vendet e tjera të rajonit e më gjerë për sektorin privat, vjen pikërisht në mospërdorimin nga ana e qeverisë e gjithë instrumenteve të mundshme të huamarrjes së brendshme dhe përqendrimin vetëm në sistemin bankar. Përmes deklaratës së djeshme Konfindustria shpreh kërkesën e saj drejtuar qeverisë shqiptare, që të mos mjaftohet me përdorimin e instrumenteve të deritashëm të huamarrjes të përqendruar thellësisht nga sistemi bankar i nivelit të dytë, por të filloj në një kohë sa më të shpejtë përdorimin e mjeteve përkatëse për nxitjen e huamarrjes së brendshme drejtpërdrejt nga qytetarët shqiptarë, si edhe mënyra të tjera të njohura dhe të përdorura me kohë në tregjet financiare të vendeve të zhvilluara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›