E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Nuk më lidh asgjë me Fazliç

  TIRANË- Partia Demokratike nuk ka shpjeguar asgjë mbi faktet e publikuara në shtypin e përditshëm lidhur me aktivitetin e dyshimtë të Damir Fazliç dhe lidhjet e këtij të fundit me familjen e kryeministrit Sali Berisha, por edhe me ministrin e Jashtëm, Lulëzim Basha. Madje, në deklaratën e tij, zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, ka deklaruar se, Damir Fazliç dhe çdo biznesmen tjetër, vendës apo i huaj, ka qenë dhe është i lirë që në përputhje me rregullat e vendit të ushtrojë biznesin e tij”. Bogdani ka injoruar në sqarimet e tij akuzat e rënda që janë hedhur në shtyp mbi lidhjet e krerëve të PD-së me Fazlliç, i cili, edhe sipas medieve të huaja cilësohet si një personazh i përfolur për trafiqe të shumta në rajonin e Ballkanit dhe për lidhje me eksponentë famëkeq të pushtetit politik. “Z. Fazliç në asnjë rast nuk ka kërkuar dhe nuk pasur asnjë lloj përfitimi nga fondet apo asetet publike të vendit”,- tha Bogdani. Në mungesë të përgjigjeve të kërkuara, Zëdhënësi i PD-së vetëm në pak rreshta, foli për Damir Fazliçin, për të cilin mediat po shkruajnë prej ditësh, ndërkohë që Bogdani nxitoi të merrej më shumë me qëndrimin e mbajtur për këtë çështje nga kryetari i opozitës, Edi Rama. Ndërkohë dje në Kuvend, ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, ka mohuar që mes tij apo familjarëve të tij dhe Fazliç të jetë zhvilluar biznes i përbashkët dhe aktivitet ekonomik, një deklaratë kjo që në fakt e përgënjeshtron vetë Fazliç i cili në një intervistë televizive ka deklaruar se kunati i Bashës ishte menaxher në një prej bizneseve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›