Berisha: Fazlliçin ua sjell në Kuvend
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha nuk ka pranuar asnjë nga akuzat që opozita ka ngritur gjatë ditëve të fundit për lidhjet e tij të pista me sekserin boshnjak Damir Fazlliç, përveçse ka konfirmuar se është mik i tij. I ardhur në seancën e djeshme në Kuvend vetëm për pak minuta, kreu i ekzekutivit ka pranuar vetë të flasë për çështjen “Fazlliç,” por pa u ndalur në ndonjë akuzë konkrete. Shefi i qeverisë jo vetëm që ka pranuar se e njeh Fazlliç, por në momente euforie ka deklaruar se është i gatshëm ta sjellë atë edhe në Kuvend për të dëshmuar për gjithçka flitet në media dhe jo vetëm në të, duke vërtetuar në këtë mënyrë afrimitetin dhe lidhjet e ngushta që ka me të. “Po të doni jua sjell këtu edhe zotin Damir Fazliç. Jo e njoh, por dua t’u them këtu që nëse s’keni frikë prej tij, pranojeni t’ju dëgjojë se ai ka harxhuar shumë kohë me ju. Po s’e doni nuk e sjell”, - u shpreh kryeministri gjatë fjalës që mbajti në Kuvend, duke iu përgjigjur interesit të opozitës. Ai është treguar gjithashtu i gatshëm që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së opozitës për mocion për debat për këtë çështje, duke u shprehur i hapur për të debatuar për çdo gjë që lidhet me këtë çështje. “I falënderoj dhe do ju dëshmoj gatishmërinë time të plotë dhe totale, të paraqitem para këtij parlamenti. Të betohem zonja kryetare që e pres me kënaqësinë më të madhe atë mocion vetëm të përgatitemi për transparencën më të madhe në historinë e këtij vendi, të arkivës së krimit. Jam i detyruar të mbaj një heshtje që mezi e kam mbajtur, nuk e mbaj më”, - tha më tej Berisha. Por duke përfituar nga numrat e votave që ka në Kuvend edhe një herë ai ka provokuar opozitën duke deklaruar se është i gatshëm që të pranojë jo vetëm mocion për debat, por edhe mocion mosbesimi. “Ju jap fjalën që jam disponibël jo një mocion, por mocionin madhor të mosbesimit ndaj kryeministrit. Ju s’ua u mban për mosbesim por kjo është puna juaj”, deklaroi kryeministri. Pavarësisht gatishmërisë së tij për t’iu nënshtruar kërkesës për debat, Berisha nuk ka nguruar të kërcënojë edhe një herë deputetët e opozitës se disponon dosje dhe materiale filmike që sipas tij implikojnë ata në afera të dyshimta. Sipas tij, dita kur do të bëhet mocioni për debat do të jetë dita e së vërtetës jo vetëm për personin e tij, por edhe për deputetët opozitar. “Mos i harxhoni gjërat tani se siç e dini kjo do jetë ora e transparencës, dita e transparencës. Kaq ju them, do sjell filmime të vërteta, fotografi të vërteta, do sjell gjithçka të vërtetë”, - ka kërcënuar Berisha deputetët e majtë.