Fazllic: Krenar që kam mik Berishën
Pas lirimit me kusht, i akuzuari si trafikant tregon lidhjet me kryeministrin shqiptar dhe ministrave të tjerë të kabinetit
LONDËR- Biznesmeni boshnjak, Damir Fazlliç, sapo ka rifituar lirinë ka rendur për tu zhdukur nga Sarajeva dhe ka udhëtuar drejt Londrës. Ai banon në veri të Londrës në një lagje të pasurish dhe që aty tenton të fshehë të gjitha transaksionet bankare që ka bërë në Shqipëri. Madje Fazlliç tenton të mohojë edhe dokumentin që mban firmën e tij. Por nga ana tjetër, ai nuk mohon, madje shprehet me krenari se është mik i kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Në një intervistë me gazetarin Muhamet Veliu ai shpjegon detaje rreth miqësive dhe aktivitetit në vendin tonë.
“Nuk e mbaj mënd se sa kompani kam. Ajo që mund të pohoj është se unë jam një investues në Shqipëri. Besoj se Shqipëria ka shumë potenciale të frytshme për të investuar. Ju keni një qeveri largpamëse. Po unë jam një investitor aktiv në Tiranë”,- deklaron Fazlliç. Ai ka komentuar edhe çështjen e kunatit të Lulëzim Bashës, Erjon Isufit duke e cilësuar atë një djalë “me potencial”. “Unë nuk e kam hequr zotin Isufi nga puna. Ai ka shkuar të merret me bizneset e tij private. E shikoj atë një djalë të ri me potenciale. Ai ka menaxhuar vetëm një prej bizneseve të mija”,- thotë Fazlliç duke përpjekur që të fshehë kontratat që tashmë janë bërë publike në Shqipëri.
Në lidhje me Sali Berishën ai shprehet se është krenar që e ka mik. “Jam krenar të konsideroj zotin Berisha si një nga miqtë e mi. Nuk më duhet të jem mik me zotin Berisha për të pasur avantazhe në biznes. Unë mendoj se ligjet në Shqipëri të hartuara nga qeveria janë të mjaftueshme për cilindo investitor të huaj, për të zhvilluar një biznes pa qenë mik me kryeministrin apo ministra të tjerë”,- shpjegon ai. Biznesmeni tregon se është takuar për herë të fundit me Berishën vetëm nëntë muaj më parë. Në këtë kohë Fazlliç ka paraqitur në qeveri një projekt të firmave të tij. Fillimisht tenton të mohojë edhe shitjen e kompanisë “CROËN ACQUISITIONS”. Por kur i bëhet i njohur akti i shitjes me vlerë një milion e 700 mijë euro ndalon së foluri. “Nuk është e vërtetë . Unë ju tregova në fillim. Nuk kam ndërmend t'ju tregoj detaje pasi pastaj do të më duhen gjashtë orë të bisedoj”,- thotë boshnjaku.
PROKURORIA
Emri i Damir Fazlliç nuk figuron në asnjë dosje të bujshme si ajo e Gërdecit apo e aferës së armëve që po hetohet. Kjo bëhet e ditur në një prononcim zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme. Por nga ana tjetër prokuroria ka pohuar se do të merret ditët e ardhshme me çështjet e tjera ku pretendohet përfshirja e biznesmenit serbo – boshnjak. Opozita ka kërkuar një hetim serioz nga ana e Prokurorisë duke mos u ndikuar aspak nga presionet politike.